Përurohet libri me fjalimet e ish-presidentit, Ibragim Rugova Foto: KALLXO.com, 24.05.2024

Përurohet libri me fjalimet e ish-presidentit, Osmani: Ibrahim Rugova mbetet udhërrëfyesi ynë

Në Shtëpinë e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, nën patronazhin  e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani u përurua libri “Liria si imanencë njerëzore”– (Fjalime të Presidentit Rugova, 1976-2005).

Libri u përurua sot më 24.05.2024 në Ditën e Presidentit që shënohet në Kosovë.

“Presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin kryesor dhe të pazëvendësueshëm, SHBA-në”- tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tutje tha se ky libër është projekt i Bibliotekës Presidenciale me emrin e tij dhe fjalimet e tij ( presidentit Rugova) të zgjedhura dhe të sistemuara nga Munish Hyseni, të cilat përfshijnë harkun kohor 1976-2005.

“Të arrish rrëfimin e vuajtjve të popullit, ta prezentosh në çdo cep të botës, ka qenë aftësi e jashtëzakonshme që e ka pasur vetëm lideri ynë historik, presidenti Rugova”- ka shtuar Osmani.

Sipas Osmanit, 24 maji, Dita e Presdentit, është vendosur nga presidenti Ibrahim Rugova dhe se është ditë e simbolikës shtetërore, pasi që “24 maji lidhet me 24 majin e vitit 1992 kur u mbajtën zgjedhjet e para prej të cilave presidenti Rugova mori drejtimin e shtetit tonë, ende të pashpallur në atë kohë”.

Ibrahim Rugova ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në përurimin e librit, të pranishëm ishin edhe familjarët e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova vdiq më 21.01.2006, pas një sëmundje të rëndë.