Persona të panjohur dyshohet se kanë dërguar pa shenja jete një 18 vjeçare në spitalin e Ferizajt

Një 18 vjeçare dyshohet se nga persona të panjohur është dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt.

“Pasditen e sotme, rreth orës 15:08 , nga Qendra Emergjente e spitalit rajonal në Ferizajt, jemi njoftuar se është sjellë një person i gjinisë femërore, e moshës rreth 18 vjeçare. Mjekët, nga kjo qendër kanë konfirmuar vdekjen e saj. Tani për tani nuk dihet identiteti i saj dhe rrethanat e vdekjes, policia menjëherë ka dalur në vendin e ngjarjes dhe po e heton këtë rast”, tha ai.

Të ndjerën dyshohet se deri tek emergjenca e kanë dërguar persona të panjohur të cilët pastaj janë larguar nga vendi i ngjarjes.

I pyetur nëse kamerat e sigurisë kanë arritur të kenë pamje të personave që e ka sjellë të ndjerën, Veseli ka thënë që hetuesit e lartë janë në vendin e ngjarjes.

“Tash për tash policia është duke i grumbulluar informacionet, hetuesit më të lartë të hetimneve janë dalur në vendin e ngjarjes, janë duke parë gjithçka që qonë në zbardhjen e këtij rasti, policia është duke punuar intensivisht”, theksoi ai.