Takimi në Bruksel/ Foto: BE

Përplasjet rreth Rregullores së BQK-së, nuk paralajmërohen takime në kuadër të dialogut në Bruksel

Pavarësisht kërkesave nga Bashkimi Evropian që çështja e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton që pagesat me para të gatshme brenda vendit të bëhen vetëm me euro, të adresohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, një takim i mundshëm mes palëve nuk është paralajmëruar të ndodhë, të paktën në një të ardhme të afërt.

Gjatë një vizite në Kosovë dhe Serbi, emisari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak pati paralajmëruar mundësinë për një takim në nivel kryenegociatorësh, mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq, në Bruksel.

“Pata një diskutim të thellë me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq rreth një sërë dosjesh konkrete të dialogut. Folëm edhe për mundësitë e një takimi të ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”- kishte shkruar emisari në platformën X më 29.01.2024.

KALLXO.com i është drejtuar BE-së më një kërkesë për informacion nëse është planifikuar të mbahet ndonjë takim, qoftë në nivel të lartë apo në nivel kryenegociatorësh.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se për çdo takim të ardhshëm të dialogut do të njoftojnë kur është e nevojshme.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të Dialogut kur dhe nëse është e nevojshme”- është përgjigjur shkurt Stano për KALLXO.com.

Ndërkaq, në një konferencë për media, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka thënë se në takimin e mbajtur më 30.01.2023, ndërmjet  kryeministrit Kurti dhe Lajçak-ut, është përmendur si ide që “ia vlenë të ketë një takim të nivelit të lartë”.

Mirëpo, numri dy i Qeverisë thotë se, qëndrimi i tyre është se pa pasur gatishmëri të Serbisë që të lëvizet me formalizimin e marrëveshje dhe përkushtimin për zbatim, “nuk ua vlen të ketë takime që nuk nxjerrin rezultat”.

“Në takimin që Lajçak ka pasur me kryeministri Kurti, është prekur si ide që ja vlen të ketë një takim të nivelit të lartë, por ne mendojmë që pa pasë diçka rezultat apo pa pasur gatishmëri të Serbisë që të lëvizet me formalizimin e marrëveshjes dhe përkushtimin për zbatimin e saj, nuk ia vlen të ketë takime që nuk nxjerrin rezultat. Me gjasë qëndrimi nuk është fort ndryshe dhe në Beograd”- ka deklaruar Bislimi më 31.01.2024.

KALLXO.com ka kontaktuar me këshilltarin politik të Bislimit, Klisman Kadiu, i cili ka thënë se nuk ka njonjë ndryshim nga qëndrimi i Bislimit, sa i përket takimeve potencialisht të ardhshme.

Nga 1 shkurti 2024 ka filluar zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke prekur kështu dinarin serb, valutë të cilën e përdorin për pagesa serbët lokalë.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë kjo datë do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Përmes një plani 10 pikësh, BQK-ja ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet e tjera financiare.

Diplomatët perëndimorë dhe organizata e institucione të ndryshme po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar, duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të Rregullores.

Së fundmi, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 13.02.2024, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Me këtë qëndrim, sipas tij, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka deklaruar O’Brien.

Ndërkaq, Stano kishte deklaruar se BE-ja pret që çështja e vendimit të BQK-së të adresohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”- kishte deklaruar Peter Stano në një konferencë për media më 29.01.2024.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, të thirrur nga Serbia, më 09.02.2024, Kurti mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, por presidenti i serb, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.

“Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”- tha Vuçiq më .

Kurse në kundërpërgjigje të Vuçiqit, Kurti sqaroi se Rregullorja e BQK-së nuk bën asgjë për të ndaluar apo parandaluar Qeverinë e Serbisë nga mbështetja financiare për serbët e Kosovës.

Ai tha se Rregullorja thjesht synon të sigurojë transparencën dhe ligjshmërinë e parave të gatshme të importuara në Kosovë

“Më lejoni të jem i qartë, Rregullorja e BQK-së nuk bën asgjë për të ndaluar apo parandaluar Qeverinë e Serbisë nga sigurimi financiar për serbët e Kosovës. Çdo sugjerim nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike. Rregullorja synon thjesht të sigurojë transparencën dhe ligjshmërinë e parave të gatshme të importuara në Kosovë në përputhje me Kushtetutën tonë dhe politikën monetare të Bashkimit Europian”- deklaroi Kurti.

Kundër zbatimit të kësaj Rregulloreje, qytetarë të komunitetit serbë në Kosovë, më 12.02.2024 kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut.

Disa nga parullat e vendosura nëpër pankarta në këtë protestë ishin: “Pensionin tërë jetën e kam bërë, nuk ia jap Kurtit”; “Europë hapi sytë”; “Pa ndihmë sociale nuk do të kemi as ushqim”.