Përplasje mes pozitës e opozitës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Me përplasje mes pozitës e opozitës po vazhdon edhe pjesa e dytë e seancës së Kuvendit të Kosovës, e shkak është mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga partitë opozitare. Partitë opozitare po e akuzojnë pozitën se të njëjtat marrëveshje i kishte kundërshtuar sa kishte qenë në opozitë.

Në Kuvend po diskutohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se Marrëveshja financiare ndërkombëtare kap vlerën totale të kredisë prej 25.1 milionë euro.

Murati: Marrëveshja financiare ndërkombëtare kap vlerën totale të kredisë prej 25.1 milionë euro

“Me qëllim të forcimit të menaxhimit të sigurisë së ujit dhe përmirësimin e sigurimit të ujit në pellgun e Moravës ne si Ministri e Financave, Punës dhe Transfereve, pra kemi arritur dakordim me Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për marrëveshjen e programit ‘Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit’. Marrëveshja financiare ndërkombëtare kap vlerën totale të kredisë prej 25.1 milionë euro”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se të njëjtën marrëveshje pozita e tanishme kishte refuzuar ta votonte kur kishte qenë në opozitë.

Tahiri: Ministri i Financave në atë kohë e arsyetonte pse të mos miratohet kjo marrëveshje

“Më kujtohet tash ministri i Financave, në atë kohë kryetar i Komisionit për Buxhet, e arsyetonte pse nuk duhet me u votu një marrëveshje e tillë. Pra, qytetarët e Gjilanit do të kishin filluar me pa ndoshta përmirësime ose implementimin e kësaj shumë më herët… Ne do të përmbahemi nga votimi. Mirëpo është më rëndësi ta dimë çka ka ndodhur që në atë kohë në opozitë si kryetar i Komisionit dhe tash ministër ka ndryshuar qëndrimin në raport me këtë marrëveshje”, tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se e njëjta marrëveshje është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa i bëri thirrje ministrit Murati që të deklarohet se a ka gabuar në atë kohë që e ka kundërshtuar.

Hoti: Atëherë as ne nuk i kemi pas 80 vota, as ju nuk i keni sot 80 vota

“E keni kundërshtuar për faktin nëse ju citoj drejt që pak më shumë se 50 përqind e kësaj kredie prej 25 milionë euro shkon për trajnime, për ngritje të kapaciteteve dhe më pak se 50 përqind shkon për investime kapitale. Tani unë nuk i jap vetës të drejtë a është mirë apo jo se ekspertët e fushës e kanë vlerësuar, e kanë negociuar dhe e kanë pa arsyeshmërinë që na duhet një marrëveshje e tillë. Ju atëherë e keni kundërshtuar dhe tash prej se keni marrë detyrën si ministër i Financave keni pasur plotësisht të drejtë që të ktheni mbrapa këtë marrëveshje dhe ta rinegocioni edhe ta sillni në termat që ju mendoni që duhet me qenë. Atëherë as ne nuk i kemi pas 80 vota, as ju nuk i keni sot 80 vota, pra duhet të bindet opozita për arsyeshmërinë e atij qëndrimi që keni mbajtur. Nëse mendoni që keni gabuar ju nuk po e thoni, por duke qenë se e keni pru të njëjtën marrëveshje kjo në mënyrë indirekte kupton që e keni mbajtur një pozicion gabim atëherë”, tha ai.

Kritika drejtuar partive opozitare ka adresuar deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se partitë opozitare nuk po i mbështesin projektet që përfitojnë studentët, profesorët dhe FSK-ja.

Abrashi: Kthetrat e opozitës janë drejtuar nga qytetarët e Gjilanit

“Kthetrat e opozitës janë drejtuar nga qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës. Është më të vërtetë për keqardhje që kjo opozitë sot është zgjuar nga gjumi me një dell aq destruktiv, nuk e di se çka ju ka bë aq keq Kosova saqë me ardhë me bë dëm në këto përmasa”, tha ai.

Ai tha se arsye se pse në atë kohë i kanë kundërshtuar këto marrëveshje ka qenë jolegjitimiteti i qeverisë Hoti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, që në kohën kur është iniciuar kjo marrëveshje ka qenë ministre e Financave.

Ajo ka përmendur të gjitha veprimet që LVV kishte bërë në Kuvendin e Kosovës kur kishte qenë në opozitë.

Bajrami: A ju kujtohet që keni thyer xhama të institucioneve i keni trembur investitorët e huaj

“Me e quajt opozitën e sotme, me quajt LDK antiamerikane dhe destruktive përnjëmend duhet me pas kujtesë jashtëzakonisht të shkurtër. Nuk e di a i kujtohet z.Abrashi që ky Kuvend nga LVV sa herë është mbushur tym edhe flakë. A ju kujtohet që dy milionë kosovarë, qytetarët e këtij vendi i keni lënë pa viza, veç pse keni qenë opozitë për asgjë tjetër. A ju kujtohet se i keni gjuajt policët me të cilët sot po krenoheni që i keni shkatërruar 42 banda kriminale, i keni gjuajt me mollotov vetëm pse keni qenë dhe për asgjë tjetër. A ju kujtohet që keni thyer xhama të institucioneve, i keni trembur investitorët e huaj, vetëm pse keni qenë në opozitë. Ju e dini pse sot ne po refuzojmë për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ajo.

Asaj i ka reaguar deputeti i LDK-së, Artan Abrashi, i cili tha se si parti thirren në antiamerikanizëm edhe kur kanë rrëzuar një qeveri në mes të pandemisë.

Abrashi – Baramit: Ju thirreni në proamerikanizëm kur keni dashur Ujmanin me ia fal Serbisë

“Znj. Bajrami ju thirreni në proamerikanizëm kur keni dashur Ujmanin me ia falë Serbisë, ju thirreni në amerikanizëm e proamerikanizëm kur keni dashur me bë Zajednicën serbe në Kosovë, ju thirreni në amerikanizëm kur ju keni humbur territor Republikës së Kosovës. Jeni thirrur në amerikanizëm kur e keni rrëzu një qeveri legjitime në kohë të pandemisë, e jeni bë gazi i dynjasë. Por, nuk po thirreni në amerikanizëm kur fjala është me e kalu një marrëveshje ku përfitojnë nxënësi, studenti dhe profesorët e Republikës së Kosovës. Po kjo është hipokrizi bre e para e punës, e dyta LVV nuk e ka lënë Kosovën pa viza, po ju e keni lënë Kosovën pa 8 mijë e 200 hektarë tokë. Pra, kur e keni kaluar demarkacionin atë akt të turpshëm, të cilin historia më e re e Republikës së Kosovës do të ju mbajë mend. A e kaluat demarkacionin, ku janë vizat? Sa i përket gazit, keni qenë rrezik ekzistencial për Kosovën, e keni kanos vendin me instalim të një entiteti autonom serb ku në thelb ka pasur dhe ka zhbërjen e shtetit tonë”, tha ai.

Deputetit i ka reaguar sërish deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se është LVV ajo që nuk e ka njohur Kosovën deri dje.

Bajrami: Ju jeni sot ata të cilët po na flisni për zhbërjen e Republikës që nuk e keni njohur deri dje

“Mos me pas qenë LDK nuk besoj që kishe pas shanse ti me u ulë në Kuvendin e Republikës. Ne nuk kemi nevojë me u thirr në amerikanizëm, ne bartim vulën e miqësisë me amerikanët, jeni ju ata të cilët po e keqpërdorni. Sa i përket gazit dhe dëmeve që i keni bërë këtij vendi jeni ju sot ata të cilët po na flisni për zhbërjen e Republikës që nuk e keni njohur deri dje, nuk e keni njohur flamurin, nuk i keni njohur institucionet”, tha ajo. /RTK