Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përplasje fizike mes mjekut dhe infermierit në QKUK, rasti përfundon në Polici

Policia e Kosovës ka shoqëruar për në stacionin policor paraditen e sotme një mjek, specialist i pediatrisë, dhe një infermier, të cilët dyshohen se janë përfshirë në një konflikt mes vete brenda QKUK-së

Mosmarrëveshja ndërmjet mjekut dhe infermierit dyshohet se erdhi pas pranimit për kontroll të një pacienti në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar palët për në stacionin policor, si dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të rastit”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, për KALLXO.com.

Në raport thuhet se rasti ka ndodhur rreth orës 9:00 të ditës së sotme.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com po ashtu ka kërkuar sqarim edhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorisë në Klinikën Emergjente, Basri Lenjani.

“Mjeku kujdestar i ka thënë pse po e pranon rastin edhe ka hy në dhomën e triazhimit dhe kanë filluar një konflikt, sipas tyre, ka qenë verbal edhe e ka kap për manteli”, sqaroi Lenjani.

U.d. i Emergjencës tha se për këtë rast është njoftuar edhe drejtoria ekzekutive “mbetet të hetohet nga organet gjegjëse”.

“Jemi duke i mbledhur informatat me shkrim nga dy të involvuarit në atë rast pas mbledhjes së dëshmive do ta procedojmë sipas planit të komisionit disiplinor të QKUK-së”, tregon tutje ai.