Për herë të parë asnjë pacient me COVID-19 në Klinikën Infektive në QKUK

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, sot për herë të parë, Klinika Infektive në QKUK nuk ka pacientë të konfirmuar pozitivë.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, vetëm Spitali i Gjakovës ka një pacient kurse spitalet e tjera regjionale nuk kanë të shtrirë pacientë me COVID-19.

Gjithashtu, ShSKUK ka njoftuar se në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 3 pacientë post COVID-19.

“Klinika Infektive para disa muajve, pas qetësimit të situatës me Covid-19, ka filluar të ofrojë shërbime shëndetësore edhe për pacientët me sëmundje të tjera ngjitëse”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar dje se në 24 orët e fundit janë dhënë 121 doza të vaksinës kundër COVID-19 kurse prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.824.992 doza të vaksinës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes kurse 19 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 nga 879 testime.

Në total numri i rasteve aktive është 434.

Sipas MSh-së, deri më sot 821.612 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë ndërsa  janë dhënë 101.042 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.