Pensionistët e quajnë të mundimshëm obligimin për ta dëshmuar në Ministri që janë gjallë

Obligimi për t’u paraqitur çdo gjashtë muaj në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale për të dëshmuar se janë gjallë po konsiderohet e mundimshme nga pensionistët dhe familjarët e tyre.

Kimete Gashit i duhet të vijë çdo gjashtë muaj për ta lajmëruar nënën e saj  si dëshmi që është gjallë në qendrën në Ministri.

Gashi thotë është e vështirë për të pasi që i duhet të lërë punët e saj për ta sjellë nënën aty për të përmbushur këtë obligim.

“Kam ardhë e kam sjellë nënën për me u lajmëru, çdo gjashtë muaj është obligative me u paraqitë për pension. Po e vështire është se duhet më lënë pavarësisht çfarë obligime, çfarë pune kemi se është e sëmurë, duhet me i lënë krejt për me e sjellë çdo gjashtë muaj” – thotë Kimete Gashi.

Të njëjtin problem e ka edhe Sejdi Murkoja.

Bashkëshortja e tij është e palëvizshme dhe i është dashur të bëjë kërkesë në qendër për vizitë në shtëpi për të dëshmuar gjendjen e saj.

Kam ardhë më e paraqitë bashkëshorten, më e paraqitë që është gjallë, por më thanë që duhet me ba një kërkesë për me ardhë vizita në shtëpi për me vërtetu gjendjen e saj” – deklaroi Murkoja.

Për pensionistët ky nuk është problemi i vetëm, pasi ata shprehin shqetësimet e tyre edhe me gjendjen e kushteve të kësaj qendre dhe mungesën e informacioneve.

E para, objekti më shkallë. Kjo është tmerr, njerëzit e sëmurë, krejt njerëzit e sëmurë, plus informacioni është zero.  Isha edhe te drejtori u ankova” –  deklaron një pensioniste.

Akoma më e vështire kjo situatë po bëhet për pensionistët që nuk po arrijnë të marrin shërbime në qendrat e qyteteve të tyre dhe se po detyrohen te vijnë në Prishtinë.

“Kam dalë që katër vjet në pension, nuk më kanë lëshu vendim që e gëzoj pensionin, edhe kam shkuar rregullisht në Drenas, nuk i kanë dërguar ende prej Prishtinës vendimin që ke dalë. “Hajt se ne kësajde jemi kur të lëshojnë prej Prishtinës e dërgojmë” – thotë një tjetër pensioniste.

E mundimshme për këta pensionistë është bërë edhe mosofrimi, sipas tyre, i shërbimeve siç duhet nga ana e shërbyesve civilë të kësaj qendre.

“Me mezi ma lëshuan, më maltretuan, tha shko në shalterin 3, shkova, shko në katërsh (4), shkova, jo shko poshtë, erdha, jo tani shko përsëri lart atje tani” – pohon një pensioniste.

Përveç të gjitha këtyre problemeve për Hysni Krasniqin, shuma që ai merr si pensionist është e pamjaftueshme dhe nuk i mjafton as për barna, madje ai këtë shumë e krahason me lëmoshë (vitra).

“Nuk po jetohet, ky nuk është pension por është siç thonë një fjalë popullore “vitra”. A e di çka janë vitrat? Kur i jap dikujt lëmoshë. Kam punuar 45 vjet, 180 euro i marr pension, përmbi se gjysma barna më shkojnë, nuk janë asgjë” – thotë Krasniqi.

Ndër të tjera, disa pensionistë po ballafaqohen edhe me problemin e mosnjohjes se viteve të punës para lufte dhe pengesave që po u krijohen atyre nëe kompletimin e dokumentacionit për t’iu njohur kjo e drejtë e tyre. Krejt kjo për shkak të disa kufizimeve që po i vendos Ministria.

Këtë e shpjegoi pensionisti Fatmir Makolli: “Erdha me marrë një vendim pas dorëzimit të dokumentacionit komplet kur kam punu, sa kam punu, edhe e mora refuzim kinse nuk i kam plotësu 15 vjet të punës para lufte. Ky është një kriter, ky është idiotizmi më i madh që mua ma ka bërë shteti, edhe gjynahu ma i madh që ka ba shteti më këtë kufizim” – tha Makolli.

KALLXO.com më 20.05.2024 ka dërguar pyetje në Ministri në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu edhe më 21.05.2024 ka ridërguar kërkesën për përgjigje nga ana e tyre, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.