Ministria e Punës punësoi dy këshilltarë dhe një sociolog

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka angazhuar tre konsulentë profesionalë për shërbime në Agjencinë e Inspektoratit të Punës (AIP).

Kjo Ministri ka shpallur konkurs për 4 ekspertë për shërbime të veçanta për konsulent individual për këshillim, hulumtim dhe shërbim në funksion të zhvillimit dhe avancimit të politikave dhe strategjisë të AIP.

Mirëpo nga katër aplikantë vetëm tre u punësuan, një këshilltar profesional për siguri në punë, një këshilltar profesional për marrëdhënie në punë dhe një sociolog.

Personat që kanë filluar punën nga 1 dhjetori 2020 janë: Astrit Ahmeti, Veton Kastrati dhe Valgjina Dibrani.

Vlera për këto kontrata është 22 mijë e 800 euro, ndërsa kohëzgjatja e kontratave të këtyre ekspertëve do të jetë 12 muaj.

Që nga 30 qershori kur ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë, institucionet publike dhe komunat e Kosovës do të bëjnë rekrutimin e stafit për shërbime të veçanta duke u bazuar në këtë ligj.

Institucionet dhe komunat e Kosovës deri në muajin qershor punësimin e punonjësve me marrëveshje të veçanta që ndryshe njihen si kontrata mbi vepër e kanë bërë në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil.

Por që nga fillimi i muajit korrik rekrutimi i punëtorëve për shërbime të veçanta do të bëhet duke u bazuar në nenin 84 për Marrëveshjet për shërbime të veçanta të Ligjit për Zyrtarë Publik.

Pas hyrjes në fuqi të ligji të ri, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta përmes të cilës edhe do të bëhet punësimi.

Rregullat e hartuara nga KRPP aplikohen vetëm për prokurimin e Shërbimeve të veçanta të  cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka.

Ndryshe nga Ligji për Shërbimin Civil, i cili ka lejuar që punësimi me marrëveshje për shërbime të veçanta apo kontrata mbi vepër të bëhej jo më gjatë se 6 muaj, me Ligjin për Zyrtarë Publikë, kohëzgjatja e kontratave do të jetë deri në 36 muaj.

Procedura për rekrutim të stafit për shërbime të veçanta fillon me publikimin e njoftimit për kontratë në platformën elektronike, të përgatitur në përputhje me nenin 40-të të Ligjit të Prokurimit Publik dhe me ngarkimin e Dosjes së tenderit të miratuar nga KRPP.