PDK: VV shkaktare e vetme e krizës, po i shmanget përgjegjësisë qeverisëse

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), janë shprehur të shqetësuar me vonesat që dy pretendentët për formimin e qeverisë së re, LVV-ja dhe LDK-ja janë duke i bërë për të arritur marrëveshjen për formimin e koalicionit.

Sipas PDK-së ‘parimet e tyre të prezantuara zëshëm janë shndërruar në pazare për karrige dhe asgjë tjetër’

Sipas tyre PDK si parti ka respektuar rezultatet e 6 tetorit duke mos dashur të bëjë asnjë ankesë, dhe duke e pranuar rolin e saj si opozitë.

PDK-ja e ka konsideruar shkaktare LVV-në për vonesat në formimin e qeverisë së re.

“Kjo parti politike është shkaktarja kryesore e vonesës aktuale dhe dhënia fund e kësaj krize është tërësisht në dorën e saj. Qeveria ka dhënë dorëheqjen që më 29 korrik të vitit të kaluar. Faji dhe fati për qeverisjen e re është vetëm në dorën e Vetëvendosjes që prej 106 ditëve”, thuhet në njoftim.

Sipas PDK-së, LVV-ja dhe kryetari i saj Albin Kurti duhet të marrin për5gjigjesitë që ju takojnë.

“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse, por qytetarët e Kosovës do t’i kuptojnë shpejt mashtrimet dhe iluzionet që ata kanë kultivuar si dhe të shohin dështimin e ideve që kanë promovuar”, thuhet tutje aty.

Tutje PDK si parti opozitare është zotuar se ‘do t’i mbajë llogaridhënëse dhe nuk do të lejojë të zhbëhen arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës’

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, LVV-ja ka dalë e para në këto zgjedhje e pasuar nga LDK-ja, ndërsa e treta ka dalë PDK-ja e cila ende pa u numëruar të gjitha vendvotimet është deklaruar se do të qëndroj në opozitë.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj, LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë formuar qeverinë e re për shkak të mospajtimeve për ndarjen e posteve.

Kriza e ideve: Letërkëmbimet ‘mjegullojnë’ marrëveshjen LVV-LDK