PDK thërret konferencë për media pas paraqitjes së Kadri Veselit në Speciale

Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur konferencë për media pas paraqitjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale.

Konferenca do të mbahet në zyret e Selisë Qëndrore të PDK-së, nga ora 17:00.

Ish-udhëheqësi i UÇK-së dhe ish-shefi i shërbimit informativ të Kosovës, Kadri Veseli u vetdeklarua në lidhje me akuzat e pretenduara për krime lufte.

Veseli tha se i ka kuptuar dhe lexuar akuzat dhe se është krejtësisht i pafajshëm.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës, me lejoni të deklarohem se jam i tërësisht i pafajshëm me të gjitha pikat e aktakuzës”, tha shkurt Veseli.

Veseli po qëndron në Hagë nën masën e paraburgimit sikurse tre ish udhëheqësit e tjerë të UÇK-së.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan pasi me 26 tetor 2020 ndaj tyre u konfirmuan akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Dje gjatë ditës para gjykatës dolën edhe ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi.

Katër krerët e UÇK-së akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.