Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK: Qeveria Kurti goditi përsëri qytetarët, koeficienti i pagave duhet të jetë së paku 120 euro

Koordinatori i Departamentit për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa,  ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pas publikimit të koeficientit të pagave në vlerë prej 105 euro.

Mustafa në një konferencë për media u shpreh se Qeveria ka goditur standardin e jetesës të shumë qytetarëve të Kosovës “duke paraqitur një koeficient të pagave që nuk i përmbushë nevojat e tyre”.

“Me këtë koeficient shumë kategorive të rëndësishme të punonjësve publikë nuk i ofrohet një pagë dinjitoze, ndërsa shumë të tjerave madje u zvogëlohen pagat mu në këtë periudhë të rëndë të krizës. Është vështirë e kuptueshme sjellja e një qeverie e cila në periudhën më të vështirë ekonomike në të cilën po kalon vendi, si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, ndërmerr veprime të njëpasnjëshme që rëndojnë dhe nuk ndihmojnë gjendjen financiare të qytetarëve”-tha ai.

Mustafa deklaroi se PDK do të propozojë amendamentin e Ligjit për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro.

“Gjatë kësaj qeverisje, rritje substanciale kanë shënuar vetëm çmimet dhe emigrimi, por jo edhe standardi i jetesës së qytetarëve. Për Partinë Demokratike të Kosovës, çdo koeficient page nën 120 euro vetëm se rritë degradimin që ka kapluar standardin e jetesës në Kosovës dhe kontribuon në humbjen e mëtejme të shpresës për një jetë të dinjitetshme në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës do të propozoj amendament në Ligjin për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro”- njoftoi Mustafa.

Mustafa thotë se vlera e koeficientit të pagave do t’i nxisë profesionistët të ikin nga sektori publik.

“Kemi një qeveri e cila tiparin më të dalluar e ka propagandën, por që assesi nuk po arrin të lë gjurmë në rritjen e përgjithshme të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Kjo politikë e pagave, përveç se do të përkeqësojë mirëqenien e shumë kategorive të qytetarëve, po ashtu do të ndikojë negativisht në cilësinë e shumë institucioneve duke i nxitur profesionistët që të ikin nga sektori publik”- theksoi ai.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

“Me sistem të ri të pagave e vlera të reja. Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve.
Tash e tutje nuk do të ketë më stagnim të pagave pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes, punës dhe rezultateve që kemi të gjithë ne bashkë në rritjen ekonomike të vendit” – shkroi Kurti në Facebook, pas vendimit të sotëm të kabinetit të tij.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.