Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Marrëveshja e arritur në Bruksel përbën regres për Kosovën

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj se marrëveshja e arritur nga Qeveria e Kosovës në Bruksel përbën një regres për Kosovën dhe e forcon më shumë pozicionin e Serbisë.

Në një komunikatë, PDK thekson se e ka mbështetur vendimin e Qeverisë për vendosjen e reciprocitetit në targa, por “tërheqja e saj nga ky vendim kaq shpejtë dhe në këtë mënyrë është dekurajuese dhe tejet shqetësuese për zhvillimet e ardhshme”.

Sipas PDK-së, largimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe rikthimi i KFOR-it – duke marrë përsipër detyra të rendit publik dhe kontrollit të kufirit që i takojnë policisë, përbën një kthim prapa për institucionet tona të pavarura shtetërore dhe dëmton rolin kushtetues të Policisë së Kosovës.

“Ky zhvillim përbën një njollë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet i konsoliduar i pavarur dhe sovran”, thuhet tutje në reagim.

“Për më tepër, duke pranuar një tërheqje të sinkronizuar të Policisë së Kosovës dhe barrikaduesve që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, Qeveria aktuale de facto i ka konsideruar ata si të barabartë, duke nëpërkëmbur kështu dinjitetin e autoriteteve tona shtetërore të sigurisë. Duke i trajtuar njësoj me barrikaduesit, kjo Qeveri ka fyer forcat speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë patriotike. Jo vetëm kaq, por nga sot barrikadat janë përligjur si mjet efikas për përparimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, theksohet në komunikatën e partisë më të madhe opozitare në vend.

Sipas PDK-së, ajo që e bën edhe më problematike këtë marrëveshje është çështja e pranimit të targave ilegale KM dhe të ngjashme nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Ky fakt përbën një dorëzim të sovranitetit dhe shpërblim të përpjekjeve të Serbisë për të mohuar shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës nëpërmjet lëshimit të targave ilegale serbe për territorin e shtetit tonë”, thuhet në komunikatë.

Kjo parti ka kërkuar që sa më parë të bëhen publike detajet e kësaj marrëveshjeje dhe të sqarohen të gjitha rrethanat për të cilat është ndërmarrë në veri një operacion i rrezikshëm e që ka rezultuar, sipas saj, në një regres të shumanshëm të pozicionit të Republikës së Kosovës.

Në Bruksel sot është arritur marrëveshje mes palës kosovare dhe asaj serbe për çështjen e targave të automjeteve.