Ja çka përmban marrëveshja për targat e arritur sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak përmes një postimi në Twitter ka thënë se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të veturave.

“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar ai.

Lajçak përmes një postimi në Twitter ka bërë publik lajmin për marrëveshjen e arritur.

Pikat bazë të marrëveshjes

Sipas kësaj marrëveshjeje, KFOR të shtunën më 2 tetor do të zëvendësoj Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe do të qëndrojë për dy javë pranë pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Po në këtë ditë, sipas marrëveshjes, nga ora 08:00 deri në ora 16:00 do të largohen edhe kamionët që kanë bllokuar rrugët.

Ndërsa nga 4 tetori, do të filloj përdorimi i stikerave/afisheve në vetura.

Lajçak ka njoftuar se më 21 tetor 2021, do të mbahet një takim në mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian për t’u gjetur një zgjidhje e përhershme për targat e veturave.

Më 20 shtator 2021 Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë.

Sipas vendimit, të gjithë veturat që hynin nga Serbia duhej të vendosnin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Kjo u prit me protesta dhe bllokim rrugësh nga banorët e veriut të Kosovës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës që nga 20 shtatori po qëndron pranë pikave kufitare në veri të vendit.