PDK konfirmon pjesëmarrjen në takimin për Asociacionin në Ambasadën Amerikane

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka konfirmuar pjesëmarrjen e këtij subjekti politik në takimin e nesërm të ftuar nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Tahiri ka thënë se PDK do të dërgojë përfaqësuesin e saj në kuadër të këtij takimi.

“PDK do ta dërgojë përfaqësuesin e saj në kuadër të këtij takimi. Normalisht që do të marrë pjesë. Ne jemi parti opozitare, çështjeve duhet tu jap drejtim Qeveria e Kosovës” – deklaroi ai.

“Gjendja e vendit tonë të cilën e ka pru kjo qeveri në karshi të Shteteve të Amerikës është mjeruese. Kemi përgjegjësi që të mos e lejojmë qe vendi të merr një vendim të gabuar. Marrëdhënia jonë më SHBA-në është jetike. Si PDK normalisht qëndrojmë në kuadër të kompetencave tona qe kemi. Përgjegjës është qeveria nga Albin Kurti është personi që duhet të ju jap drejtim” – shtoi ai.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Ne e kundërshtojmë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve” – kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.