Blerta Deliu-Kodra në seanncën e Kuvendit, 27 janar 2022

PDK kërkon lirimin e tre policëve menjëherë dhe pa kushte

Partia Demokratike e Kosovës nga salla e Kuvendit ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa asnjë kusht të tre zyrtarëve policorë të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi.

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu – Kodra tha se Serbia ka bërë shkelje flagrante të integritetit të Kosovës me kidnapimin e tre policëve.

“8 ditë më parë, njësitet speciale të Policisë së Serbisë, rrëmbyen brenda territorit të Kosovës tre zyrtarë policorë në krye të detyrës në luftim te kontrabandës e kriminalitetit në veri. Serbia beri shkelje flagrante te integritetit territorial të Kosovës. Sot tetë ditë pas ata po mbahen në paraburgim me akuza të pa baza e trajtim të pa dinjitetshëm. Thirrja jonë mbetet e njëjtë, lirimi i menjëhershëm pa asnjë kusht”- deklaroi ajo.

Deliu – Kodra po ashtu tha se janë të shqetësuar për bashkëpunimin e qeverisë me partnerët.

“Nëse në këtë pikë jemi të gjithë të një zëri, ne jemi më shumë se kurrë të shqetësuar për bashkëpunimin e qeverisë me partnerët strategjik. I bëjmë thirrje Kurtit t’i kërkojë falje sekretarit Blinken për deklaratën e tij. Ne distancohemi nga kjo gjuhë me të cilën ai tash e sa kohë komunikon me partnerët” – tha ajo.

Më 14 qershor, Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari me 20 qershor është lejuar të vizitoj tre policët e Kosovës që aktualisht gjenden në paraburgim në Serbi.

Sipas ministres Donika Gervalla policët kanë treguar se gjatë 48 orëve nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo ata kanë thënë se gjatë kësaj kohe atyre nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm, vetëm nga një copë bukë dhe jo më shumë.

Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim krize. Takimet janë paraparë të mbahet të mbahen sot.