Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK i kërkon Albin Kurtit shkarkimin e ministrit Hekuran Murati

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i është ankuar kryeministrit Albin Kurti se ministri i Financave, Hekuran Murati asnjëherë nuk flet me numra por vetëm përfshihet në polemika politike.

“Është esenciale me kuptu kryeministri që e ka një ministër të financave që nuk e di, që nuk di. Është e tmerrshme kryeministër, edhe kur nuk jeni ju në seancë, krejt debati që ne e thërrasim ministrin e Financave për çështje që lidhen kryekëput me punën e tij, ky mundohet me e shndërrua në një debat politik me akuza-kundërakuza, ky veç me numra nuk flet”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, Murati si ministër është i papërgjegjshëm prandaj edhe duhet të shkarkohet.

“Ja ke lanë kuletën e shtetit një njeri të papërgjegjshëm edhe të padijshëm, ky ka qejf me hi në polemika politike, ky veç për numra nuk fol. Mendoj që duhet me qenë më të përgjegjshëm më të përgatitur dhe është esenciale me ndrru këtë ministër”, tha Tahiri

Në seancën e Kuvendit është duke u zhvilluar debati për rritje të çmimeve për të cilën si masë LVV ka propozuar miratimin e projektligjit për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë.

Ndërsa LDK ka propozuar reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në derivate për një periudhë 3 mujore me mundësi vazhdimi për 3 muaj, si dhe të zgjerimin lista e produkteve me TVSH të reduktuar.