PDK hap zgjedhjet e brendshme për Forumin e Gruas

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se zyrtarisht ka hapur procesin e zgjedhjeve të brendshme për Forumin e Gruas.

Sipas kryetarit të partisë, Kadri Veseli, ky proces është i domosdoshëm për forcimin e mëtutjeshëm të gruas në jetën publike.

“PDK-ja gjithnjë ka qenë e angazhuar për rolin e gruas në vendimmarrje brenda partisë dhe do ta kemi prioritet të vazhdueshëm, duke krijuar hapësirë për gratë në PDK. Kjo do të krijonte hapësirë për një proces demokratik e përmbajtjesor dhe forcim të rolit të gruas në vendimmarrje”, ka thënë Veseli.

Ndërsa udhëheqësja e departamentit për politika gjinore në PDK, Blerta Deliu Kodra, u ka bërë thirrje grave dhe vajzave që të bëhen pjesë aktive e këtij procesi zgjedhor.

“Një shoqëri pa përfaqësim të grave është ose jodemokratike ose e pazhvilluar ekonomikisht, prandaj PDK e ka këtë mision, për demokracinë dhe për zhvillimin shoqëror”, ka thënë Deliu Kodra.

Në njoftimin e PDK-së nuk është bërë e ditur se deri kur do të zgjasë ky proces.