PDAK dhe LPB ankohen për “orkestrim të votave të diasporës”, PAI i quan trillime akuzat

Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, Qazim Rrahmani dhe kryetari i Lëvizjes për Bashkëveprim, Jeton Emini, në një Konferencë për media, më 26.02.2025, kanë akuzuar Partinë e Ashkalinjve për Integrim për “orkestrim të votave nga diaspora”.

“Ne jemi koalicion fitues nga sovrani i Kosovës, nga qytetarët ashkalinj. Ne jemi fitues, por pas datës 9 shkurt neve na kanë ardhur me e-mail-e, disa fakte që rivali jonë politik, Partia e Ashkalive për Integrim ka orkestruar votat e diasporës.” – ka deklaruar Rrahmani.

Ai thotë se një person pretendohet të ketë votuar për 50 apo 60 të tjerë.

“Kanë marrë kartën e identitetit, letërnjoftimet dhe i kanë regjistruar vetë si të tillë. I kanë marrë dëftesat e regjistrimit vetë dhe po ashtu vetë kanë votuar dhe vetë i kanë paguar votat.” – ka shtuar Rrahmani.

Nga koalicioni PDAK-LPB thonë se faktet i kanë dërguar në Prokurorinë Speciale dhe kanë dorëzuar Ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme.

Sipas Rrahmanit, rezultati i ngushtë mes koalicionit PDAK-LPB dhe PAI-së mund të ndryshojë me votat e diasporës.

“Kjo i bie që me orkestrimin e votave, ndryshon vullneti i qytetarëve të cilët kanë votuar për ne. Unë mund t’ju them se jam Deputet i Kuvendit të Kosovës me votat e qytetarëve të Kosovës, por që votat e orkestruara të diasporës mund të ndryshojnë këtë rezultat.” – është shprehur Rrahmani.

Kërkesë i është drejtuar organeve të Drejtësisë që të hetojnë faktet të cilat Rrahmani thotë se i kanë dërguar në Prokurori.

Koalicioni PDAK-LPB ka kërkuar edhe anulim të votave të diasporës të subjektit politik PAI.

PAI-në ky Koalicion e ka akuzuar që edhe përmes shoqatave humanitare ka tentuar që të shantazhojë qytetarët me ndihma në ditën e Zgjedhjeve.

Në anën tjetër, Emini ka thënë se orkestrimi i votave të diasporës ka filluar nga muaji gusht 2023 kur filloi regjistrimi i votuesve.

“Kanë shkuar në diasporë, kanë bërë tubime të tipit të koncerteve dhe ua kanë marrë letërnjoftimet pjesëmarrësve aty. Kanë bërë regjistrimin e votuesve në pajisjet e tyre. Në një mënyrë janë bërë pronarë të dëftesës, që është akt themeltar për të ushtruar të drejtën e votës.” – ka deklaruar Emini.

Më tutje, ai ka thënë se dhjetëra e qindra regjistrues kanë raportuar te ky koalicion se “përse e kanë dhënë letërnjoftimin”.

Ai ka shtuar se zakonisht nuk ka shumë vota të ashkanlinjve në diasporë, por që kësaj radhe flitet për një numër të konsiderueshëm të votave që mund ta ndryshojnë rezultatin e Zgjedhjeve.

Emini ka shtuar se kanë marrë edhe përfaqësues ligjor përmes së cilit kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Ferizajit, të Prishtinës dhe atë Speciale për pretendimet dhe dyshimet e tyre.

“Do të shpalos vetëm një nga faktet, ku kryetari i PAI-së, Hetem Arifi kërkon nga qytetarë të rëndomtë letërnjoftimet e tyre që ta bëjë regjistrimin e votuesve.” – ka shtuar ai duke paraqitur një fotografi të një bisede në rrjetet sociale.

Rrahmani ka shtuar si kërkesë ndaj KQZ-së dhe PZAP-së që votat e diasporës të mos futen në rezultatin përfundimtar.

“Në bazë të informacioneve që i kemi, bëhet fjalë për diku 500 deri në 700 vota.” – ka shtuar Rrahmani.

Kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Hetem Arifi ka dalë me deklaratë publike sa i përket pretendimeve të koalicionit PDAK-LPB.

Në deklaratën e tij ai thotë se pretendimet e PDAK-LPB janë trillime dhe manipulime.

“Partia e Ashkalinjve për Integrim nga deklaratat publike të përfaqësuesve të subjekteve politike PDAK-LPB – dhënë sot para mediave në Prishtinë – ndjehet e shqetësuar për trillimet dhe manipulimet e këtyre partive politike që po i paraqesin opinionit publik – duke u munduar që të dëmtojnë imazhin e procesit zgjedhor të 9 shkurtit dhe sovranitetin e popullit.” – ka deklaruar ai në rrjetin social Facebook.

Tutje, ai ka thënë se këto pretendime më 21.02.2025 janë hedhur poshtë nga KQZ dhe PZAP.

Arifi ka thënë më tej se PAI është në pritje të rezultateve zyrtare të Zgjedhjeve dhe është e gatshme të punojë me organet e Drejtësisë për të dëshmuar të vërtetën.

“PAI beson fuqishëm në KQZ dhe organet e saj për proces të drejtë zgjedhor dhe dënon ashpër gjuhën mashtruese e trilluese të dy Kryetarëve të subjekteve politike PDAK-LPB.” – ka shtuar Arifi.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, koalicioni PDAK-LPB ka marrë 1974 vota, apo 0.23%, kurse PAI 1821 vota, apo 0.22%.

Në bazë të rezultateve të fundit preliminare, në uebfaqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.90%.

Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03% e votave.

E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.64%.

Në këto rezultate nuk përfshihen: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës.