Pasojat e përplasjes së një aeroplani ushtarak rus në një ndërtesë banimi - dy të vdekur dhe 15 të lënduar

Nga rrëzimi i aeroplani luftarak rus në qytetin Jejsk të Rusisë, kanë humbur jetën dy persona dhe 15 tjerë janë lënduar.

Bëhet fjalë për fluturaken Su-34, që u rrëzua mbi ndërtesën kolektive nëntëkatëshe në qytetin rus Jejsk, transmeton Telegrafi.

Guvernatori i rajonit rus Krasnodarsk, Veniyami Kondratyev, në kanalin e tij në Telegram ka njoftuar se janë shkatërruar 17 apartamente në ndërtesën nëntëkatëshe.

“Sipas informacioneve preliminare, është rrëzuar një aeroplan i tipit Su-34. Si rezultat i kësaj, ka shpërthyer një zjarr i madh në ndërtesën shumëkatëshe. Zjarri përfshiu pesë kate dhe shkatërroi 17 apartamente. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e ndihmës së shpejtë, ato të shpëtimit dhe zjarrfikësit”, thuhet në kumtesë.

Në anën tjetër pilotët e aeroplanit kanë arritur të katapultohen dhe të bien në tokë pa ndonjë problem. Ndërkaq sipas hetuesve, njëri motor i aeroplanit ishte përfshirë nga zjarri pak kohë pasi ishte ngritur në ajër.

Si pasojë e kësaj aeroplani shpërtheu në ajër dhe më pas u përplas mbi ndërtesën kolektive, dhe ndodhi edhe një shpërthim tjetër më i fuqishëm – që duket se ishte municioni që u përfshi nga zjarri. /Telegrafi/