Alqi Bllako, foto:Top Channel

Pasi Prokuroria e Posaçme kërkoi autorizim nga Kuvendi për arrestimin e tij Bllako dorëzoi mandatin e deputetit

Në Shqipëri, deputeti socialist Alqi Bllako dorëzoi sot mandatin, pasi Prokuroria e Posaçme i kërkoi një ditë më parë parlamentit autorizimin për arrestimin e tij në kuadër të hetimeve për inceneratorët.

Në letrën e shkurtër drejtuar Kryesisë së parlamentit, deputeti Bllako shprehet se me dorëzimin e mandatit, vihet “në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke i hapur rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”, – shkruan ai.

Deputeti socialist e njoftoi mbrëmë vendimin për të lënë vullnetarisht mandatin, duke shprehur bindjen se “një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë” e tij, e duke theksuar se nuk ka shkelur kurrë ligjet e vendit.

Zoti Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, ishte pjesë e 14 urdhërave të tjerë të arrestit ndaj funksionarëve lokalë dhe anëtarëve të Komisioneve të Koncensionit për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, përfshirë për herë të dytë ish ministrin Koka dhe sipërmarrësin Klodian Zoto, që zotëronte 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

Pas aktit të sotëm të deputetit Bllako, Parlamenti njoftoi anullimin e mbledhjes së Këshillit të mandateve, e thirrur për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë. Ndërsa Prokuroria e Posaçme i ka tani duart e lira të veprojë, pasi kërkesa për arrestim të pranohet dhe nga gjykata./VOA