Pas vërshimeve, Ministri i Mbrojtjes anulon takimet e planifikuara me të rinjtë në disa komuna

Vërshimet e përmbytjet që u regjistruar në tri ditët e fundit kanë bërë që Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj të anuloj agjendën e paraparë për takime me të rinjtë.

Kështu është bërë e ditur nga kabineti i Mehajt të cilët kanë njoftuar përmes rrjetit social Facebook.

“Për shkak të situatës së krijuar pas vërshimeve, anulohen takimet e planifikuara të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj me qytetarë dhe të rinj e të reja në komunat Deçan e Klinë, si dhe Obiliq e Mitrovicë”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në njoftim thuhet se paraprakisht për këtë janë njoftuar dhe janë dakorduar edhe me autoritetet përkatëse të këtyre komunave.

Ministria e Punëve të Brendshme sot njoftoi se situata pas ndaljes së reshjeve të shiut është qetësuar ndërsa ekipet në terren janë duke punuar në disa zona ku ka pasur përmbytje dhe vërshime.