Pamje nga mbledhja e KMAKI-së. Foto: KALLXO.com.

Pas takimit me drejtorin e AKI-së, Musliu: Serbia po ndërton një bazë të re ushtarake afër kufirit me Kosovën

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu, ka thënë se shteti serb është duke ndërtuar një bazë të re ushtare në afërsi të kufirit me Kosovës, afër Izvorit në pjesën e Serbisë.

Sipas saj, informatat rreth ndërtimit të kësaj baze janë konfirmuar më 27.09.2023.

“Nga pamjet e siguruar me dron të datës 27.09.2023 është arritur të konfirmohet informata se zonën e njohur si Rogazinë, në afërsi të Izvorit është duke u ndërtuar një bazë ushtarake e forcave serbe, me mbulesë nga ana shtetit serb, në atë pjesë po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës, por të dhënat faktike janë se aty po ndërtohet bazë ushtarake”- ka thënë deputetja Musliu.

Këto të dhëna Musliu i deklaroi gjatë një prezantimi për media pas takimit që Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së pati me drejtorin e këtij institucioni, Petrit Ajeti.

Musliu tha se prioritet vazhdon të mbetet siguria në vend duke deklaruar se AKI dhe forcat policore të Kosovës kanë qenë në krye të detyrave duke iu përgjigjur çdo provokimi nga ana e terroristëve serbë, duke iu referuar sulmit terrorit të 24 shtatorit në Banjskës në Zveçan dhe zhvillimeve pas kësaj.

Ajo ka thënë se Serbia me intensitet të shtuar ka intensifikuar veprimet diversive ndaj Kosovës.

“Andaj e kemi të qartë se grupi terrorist i mbështetur nga shteti serb kishte pretendime territoriale, përmes veprimeve hibride, agresive dhe sabotuese” – tha ai.

Shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, ka raportuar sot para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në Kuvendin e Kosovës.

Raportimi i Ajetit vjen pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.