Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas arrestimit të zyrtarëve në Lipjan, reagon Komuna: Të presim verdiktin final pastaj të gjykojmë

Prokuroria e Prishtinës sot ka njoftuar se janë arrestuar 9 persona nën dyshimin për veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit, dhe – mashtrim.

Ky aksion i Prokurorisë ka të bëjë me ndërtimin e një stadiumi të futbollit në fshatin Magurë të Lipjanit, që kap vlerën e 300 mijë eurove.

Në lidhje me këtë, Komuna e Lipjanit ka dhënë një sqarim përmes një reagimi në  Facebook, duke thënë se për stadiumin në Magurë, të gjitha kontratat janë publike që nga koha kur janë nënshkruar dhe janë në ueb-sajtin e Komunës.

“Duke përcjellë mediat dhe portalet, ndonëse zyrtarisht asnjë informatë si institucion i komunës dhe si kryetar i komunës nuk e kemi, konsiderojmë dhe deklarojmë për qytetarët lipjanas dhe opinionin se absolutisht, nuk duam të interferojmë në punën e organeve të drejtësisë as të paragjykojmë epilogun por ju informojmë së nëse është fjala për stadiumin në Magure, të gjitha kontratat janë publike që nga koha kur janë nënshkruar dhe janë në websajtin e komunës”-thuhet në njoftimin e Komunës.

“Duke ndjekur shkrime me shumë të pavërteta rreth shumës së mjeteve të përmendura, ju inkurajojmë vlerat në kontrata dhe specifikat tjera lehtë mund ti verifikoni në websajtin e komunës” – potencohet tutje në këtë reagim.

Tutje në njoftimin e kësaj Komune është thënë se aq sa janë në dijeni, dheu i shembur si pasojë e reshjeve të shiut në janar 2021 në stadiumin e Magurës, ka dëmtuar rrethojat e qendrës së azilit në Magurë.

“Pas kësaj shembje, komuna dy herë ka publikuar procedura për të riparuar atë shembje dheu nga reshjet dhe në të dy rastet të dy operatoret e kontraktuar (njoftimet janë publike në websajt) nuk kanë kryer punimet dhe nuk janë paguar për punët e pakryera. Ne, kuptojmë dhe inkurajojmë punën e organeve të drejtësisë që të jetë e pavarur dhe korrekte, por asesi deklarimet paushalle e të pa verifikuara. Duhet të vlejë prezumimi i pafajësisë deri në vërtetimin e fajësisë e jo me komente me erë tërësisht politike pa asnjë lloj verifikimi të së vërtetës”.

Në reagim është theksuar se përkatësia politike e shërbyesve civilë nuk duhet të shërbejë për “shfrenime të urrejtjeve personale e politike”.

“Nëse ky parim sipas disave nuk vlen për të gjithë njëjtë, atëherë përdorni standardin e njëjtë edhe për shërbyesit civil. Përkatësia politike e shërbyesve civil nuk duhet t’u shërbej gjuetarëve kujdestarë për shfrenime të urrejtjeve personale e politike” – është thënë në njoftimin e Komunës, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që para se të gjykohet të pritet verdikti final.