Arrestohen 9 zyrtarë në Lipjan

Prokuroria Themelore ka njoftuar se janë arrestuar 9 persona nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Mashtrim”.

Ky aksion i Prokurorisë ka të bëjë me ndërtimin e një stadiumi të futbollit në fshatin Magure të Lipjanit, që kap vlerën e 300 mijë eurove.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përveç zyrtarëve komunalë, Prokuroria ka arrestuar edhe një person përgjegjës i kompanisë.

“Po ashtu, gjatë këtij aksioni është ndaluar edhe një (1) person, përgjegjës i Kompanisë në fjalë. Ndërkaq, personat e lartcekur me këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth treqind mijë (300.00) euro”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.