Pas arrestimit, dy të dyshuarve për fajde u bllokohen toka, shtëpi e para (VIDEO)

Dy personave, arrestimin e të cilëve KALLXO.com e kishte transmetuar ditë më parë, u është ngrirë pasuria për të cilën Prokuroria Themelore në Pejë ka konstatuar se është e pajustifikuar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai përmendi disa prej pasurive të bllokuara të dy të dyshuarve për fajde.

“Në çështjen penale kundër dy të pandehurve për shkak të veprës penale të fajdesë nga neni 331 i KPRK-së, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka vazhduar me ngrirjen e pasurisë së pajustifikuar, dhe ka lëshuar urdhrin për ngrirje të aseteve: një banesë me 90 m² në Prishtinë; një shtëpi dy katëshe me oborr në Pejë si dhe katër parcela me sipërfaqe 30,542 m² tokë bujqësore klasa 3 në Pejë”, tha Nikçi.

Gjithashtu sipas Nikçit, Prokurori i rastit Ersan Qavolli ka kërkuar edhe bllokimin e 50 mijë eurove për njërin nga të dyshuarit për fajde.

“Është parashtruar edhe kërkesa për lëshimin e urdhrit ndalues për këto pasuri. Gjithashtu, në këtë rast kjo prokurori ka bllokuar edhe mbi 50,000 euro në llogaritë bankare të të pandehurit”, shtoi Nikçi.

Ditë më parë KALLXO.com kishte transmetuar pamje ekskluzive të arrestimit dhe diskutimeve për fajde në Pejë.

Prokurori Qavolli kishte ndjekur tash e disa muaj zinxhirin e krijuar të personave që dyshohen se merreshin me fajde në rajonin e Dukagjinit.

I gjithë rasti ishte vazhdim i arrestimeve të para për fajde, viktima e së cilës fillimisht kishte ardhur në KALLXO.com për të rrëfyer situatën në të cilën ishte futur.

Në emisionin e KALLXO.com ishin transmetuar edhe bisedat mes viktimës dhe të dyshuarve për fajde në të cilat dëgjohen tek flitet edhe shuma të ndryshme parash që janë dhënë e që janë mbetur borxh te të dyshuarit.

Hetimi i prokurorisë dhe zbatimi i masave përfundoi me arrestimin e disa personave të cilët dyshoheshin për fajde.