Partitë që nuk respektuan sot masat anti COVID-19 (FOTO)

Në 24 orët e fundit 392 persona kanë rezultuar pozitivë dhe 6 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19.

Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShK) ka njoftuar se ka rritje të numrit të personave të hospitalizuar që janë të prekur me COVID-19.

Madje ata kanë thënë se numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës për shkak të mosrespektimit të masave kundër përhapjes së COVID-19.

IKShPK e ka përsëritur thirrjen për respektim të masave për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Por edhe përkundër thirrjeve të Institutit për respektim të masave dhe Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, i cili është votuar nga vetë partitë në Kuvendin e Kosovës, partitë para fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, po vazhdojnë të mos i respektojnë masat anti-coronavirus.

Qeveria e Kosovës në prag të fushatës zgjedhore ka vendosur të rrisë numrin e personave që mund të marrin pjesë në grumbullime. Sipas këtij vendimi, në hapësira të mbyllura kanë të drejtë të mblidhen deri në 30 persona ndërsa në hapësira të hapura deri në 50 persona, gjithmonë duke i respektuar masat kundër COVID-19.

Në Komunën e Prishtinës, Drejtoria e Inspekcionit ka shqiptuar disa gjoba për mosrespektim të masave anti-COVID. LDK është gjobitur dy herë me nga 2 mijë euro. Edhe Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë shpëtuar nga gjobitja, të dyja janë gjobitur po ashtu me nga 2 mijë euro.

Partitë i kanë shpeshtuar aktivitetet politike para fushatës zgjedhore, të njëjtët po i publikojnë fotografitë nga këto aktivitete edhe përkundër se aty po shpërfaqet edhe mosrespektimi i masave anti COVID-19.

Gjatë ditës së sotme, edhe pse ditë e diel, gati të gjitha partitë kanë zhvilluar aktivitete për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka njoftuar se kryesia dhe struktura e degës së partisë Nisma Socialdemokrate në fshatrat shqiptare të Leposaviqit kanë kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Fshatrat shqiptare të Albanikut (ish-Leposaviqit) vendosën KREJT dhe DREJT”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Anëtarët e Nismës që kanë kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje sipas Bahtirit janë fshatrat Bistricë, Cerajë, Vllahi dhe Koshtovë.

Por në këtë takim shihen se të pranishmit nuk kanë mbajtur maskën dhe as distancën për mbrojtje nga COVID-19.

Foto: Agim Bahtiri/FacebookNdërsa shkelje flagrante të rregullave për parandalimin e përhapjes së coronavirusit ka bërë sërish Sami Lushtaku i PDK-së.

Lushtaku, sipas fotove të publikuara, ka mbledhur me dhjetëra persona në odat e fshatrave të Drenicës, duke mos respektuar as mbajtjen e distancës as të maskave.

Edhe ministri i Shëndetësisë në detyrë dhe kandidati i LDK-së për deputet, Armend Zemaj, ka është parë në një tubim ku nuk respektohen masat anti COVID-19, në Deçan.

“Të rinjtë e Deçanit forca e LDK-së. Vizioni i LDK-së për SHTET”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Zemaj i cili është një ndër njerëzit kryesorë në frontin kundër pandemisë COVID-19, ka marrë pjesë në një tavolinë me dhjetëra njerëz të cilët nuk kanë qenë duke mbajtur distancë dhe maska.

Në fotografinë që vet Zemaj e ka postuar shihet që veç Zemaj dhe një person tjetër janë duke bartur maskën mbrojtëse kundër pandemisë.

Foto: Armend Zemaj/Facebook

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është mbledhur sot në Gjilan. Ish-deputeti dhe kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj në Gjilan tha se forca e Kosovës janë rinia e saj, janë rinia e Gjilanit që po i bashkohen AAK-së dhe listës së saj zgjedhore.

“Bashkë me kandidatët për deputetë nga Gjilani, Ahmet Isufin dhe Rexhep Kadriun shpalosëm rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, rëndësinë se pse duhet votuar AAK-në, që Kosova të jetë shtet i fortë dhe që i tërë territori i saj të trajtohet me dinjitet. Me AAK-në në qeveri, do të hapen shkollat e reja profesionale, në mënyrë që të kemi kuadro të reja të përgatitura për tregun e punës, e perspektiven për një të ardhme të sigurt ta gjejnë në vendin tonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në një sallë të mbyllur, me karriget e vendosura me distancë njëra nga tjetra, shihen me dhjetëra persona duke dëgjuar fjalimet e liderëve të AAK-së. Disa prej tyre shihen duke mbajtur maska e disa të tjerë nuk i kanë maskat e vendosura për mbrojtje nga COVID-19.

Foto: Daut Haradinaj/Facebook

Edhe Nisma Socialdemokrate ka mbajtur takime në vende të ndryshme të Kosovës.

Lideri i saj Fatmir Limaj është takuar me kandidatët për deputetë të Nismës Socialdemokrate.

“Në takimin e sotëm me kandidatët tanë për deputet theksova se është nder i madh për secilin nga 110 kandidatët e Nismës, të jenë kandidat për Parlament të Republikës së Kosovës, Republikës sonë që me mund e sakrificë është ndërtuar fal kontributit të shumë brezave. Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne, së sa të dalim të takojmë njerëz e të kërkojmë mbështetjen e bashkëluftëtarëve për të mbrojtur arritjen tonë më të madhe shekullore. Kosovën e lirë”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Në fotografitë e publikuara në Facebook nga Limaj, shihet se kandidatët për deputetë të Nismës Socialdemokrate janë duke i mbajtur maskat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

Edhe pse në qendër, kandidatët i kanë respektuar masat anti-COVID, në Han të Elezit, aktivistët e Nismës nuk kanë vepruar njësoj.

Foto: Fatmir Limaj/Facebook

Ndërkohë, Policia vazhdon të gjobisë qytetarët për mosrespektim të masave anti COVID-19.

Në 24 orët e fundit, për mosrespektim të masave Policia ka njoftuar se ka gjobitur 540 persona.