IKShPK

Rritet numri i të hospitalizuarve me COVID-19, IKShPK bën thirrje për respektim të masave

Në 24 orët e fundit 392 persona kanë rezultuar pozitivë dhe 6 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19.

Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShK) ka njoftuar se ka rritje të personave të hospitalizuar që janë të prekur me COVID-19.

Madje ata kanë thënë se numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës për shkak të mosrespektimit të masave kundër përhapjes së COVID-19.

IKShPK e ka përsëritur thirrjen për respektim të masave për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Më poshtë lexoni thirrjen e plotë të IKShPK-së:

Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, sot kemi regjistruar 392 raste pozitive dhe rritje te rasteve të hospitalizuara. Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore.

Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.