Paralajmërohet ulje e lehtë e çmimit të naftës në Kosovë
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka paralajmëruar në emisionin “KallxoPërnime” se nga java e ardhshme do të ketë ulje të çmimit të derivatëve në Kosovë.
“Nga java e ardhshme është paralajmëruar se do të ketë një rënie e lehtë të derivatëve”, ka thënë mes tjerash Berjani.
Në debatin ku po diskutohej për rritjen e çmimeve, Berjani tha nuk është e vërtetë që shkaku i rritjes së çmimit të derivatëve kanë pësuar edhe ato ushqimore.
“Sa i përket çmimit të naftës, sot në Kosovë sillet ndërmjet 1.19 – 1.20 euro dizeli, benzina 1.23 deri në 1.30. Sa i përket çmimeve në rajon, ne jemi më të lirët në regjion. Në Shqipëri një litër dizel sillet 1.25 euro kurse benzina 1.50. Ndërkaq Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi janë më shtrenjtë, përveç Maqedonia e Veriut që i ka taksat për dizel 44 centë më të ultë kurse benzinën e ka sikurse ne. Sa i përket shportës së qytetarëve, kanë thanë më herët se shkaku i derivateve janë rritur, na u ka imponu edhe rritja. Kjo nuk është e vërtetë. Mendoj se marketet e mëdha janë duke abuzuar me produktet ushqimore. Rasti konkret në vitin 2020 e kemi pasur çmimin e naftës 75 centë kurse 80 dizeli”, ka thënë Berjani.
Ai përmend rastin se edhe në vitin 2019 ka qenë çmimi më i lartë por që ka zgjatur vetëm një javë, por shton se marketet nuk i zbritën çmimet anise çmimi i derivatëve u ul.
“Për dhjetë vitet e fundit, çmimi më të lartë nuk kemi pasur. Çmimi më i lartë ka qenë edhe në kohën e ish-kryeministrit Haradinaj, ka qenë 1.28 euro dizeli, por këta ta ka imponu OPEC (Organizata e Shteteve Naftë-Eksportuese). Ajo ka zgjatur vetëm një javë, ata e kanë ulur çmimin por nuk e kanë ulë marketet. Tash i kanë rritur çmimet, derivatet është një rënie e lehtë gjatë javës së ardhshme është paralajmëruar, por a do të ulen edhe çmimet në markete. Këto nuk ulen”, tha Berjani duke kërkuar nga Oda Ekonomike që të flasë se marketet po abuzojnë me çmime.