Ilustrim

Paraburgim për katër të dyshuarit që kontrabanduan ilaqe

Katër të pandehurve, F. S., A. L., L. B. dhe A. L u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë nga ana e Gjykatës së Ferizajt.

Vendimi i gjykatës ishte marrë gjatë ditës së djeshme, ndërsa të pandehurit po dyshohen për kontrabandim të mallrave dhe një vepër tjetër të cilën e kishin kryer veç e veç, pra marrje ryshfeti.

Të pandehurit dyshohet se nga tetori i vitit të kaluar e deri në këtë muaj në pikën kufitare Hani Elezit, kanë bartur barna, duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që barnat i kanë siguruar nga persona të paautorizuar në Republikën e Maqedonisë.

Gjithashtu për të iu shmangur kontrollit doganor, të dyshuarit kanë bërë dhurata dhe u kanë ofruar edhe përfitime të tjera pasurore zyrtarëve doganor dhe policor.

Mallërat apo barnat e kontrabanduara, të dyshuarit i kanë dërguar në shtëpinë e F.S.

Gjykata ka njoftuar se barërat e kontrabanduara do të vënin në rrezik shëndetin e njerëzve.

Pas arrestimit të të dyshuarve, policia ka kryer edhe një bastisje me urdhër të prokurorit, në shtëpitë e të dyshuarve.

Gjatë kontrollit janë gjetur  6 mijë e 917 kuti me barna të 199 llojeve të ndryshme, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Andaj Gjyqtari Mustaf Tahiri kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve.