Pal Lekaj akuzon ministren Artane Rizvanolli për punësime partiake

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kritikuar Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin për punësime partiake nëpër ndërmarrjet publike.

Rizvanolli ishte duke raportuar para Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë raportimit në Komision, Rizvanolli tha se kur kanë ardhur në qeveri kanë parë se nëpër ndërmarrje publike ka pasur mbipunësime dhe punësime partiake. Si dhe, sipas saj, i kanë ndalur punësimet me nepotizëm.

Ndërsa deputeti Lekaj tha se Qeveria nuk ka bërë asnjë veprim pozitiv në këtë drejtim.

“Nuk keni bërë asnjë veprim pozitiv që kanë shkuar në drejtim të këtyre ndërmarrjeve. Nuk e di ku e shihni performancën pozitive tuajën. Kur jemi te punësimet, keni thënë se keni gjetur punësime partiake thuajse ju e keni ndal. Po ju përmend disa emra. Drejtor i Iber Lepenc, Faruk Mujka; Bujar Bilalli, anëtar i bordit të Trepçës; Jeton Shabani, kryeshef i Bifurkacionit, është shok i Hekuran Muratit” – ka thënë ndër të tjera Lekaj.

Pas këtij debati për punësimet partiake, deputeti Pal Lekaj ka lëshuar mbledhjen duke thënë “Nuk kam çka rri me i dëgju pallavrat e juaja”.