Zjarrfikësit e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Pagat për nëntë pozitat e zjarrfikësve sipas koeficientit të ri

105 euro është vlera e koeficientit e përcaktuar për vitin 2023 ndërsa për vitin e ardhshëm kjo vlerë do të jetë 110.

Ligji për pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës më 22 dhjetor 2022 ndërsa sot është bërë edhe publike vlera e koeficientit për pagat e zyrtarëve të institucioneve publike në Kosovë.

KALLXO.com ju sjell pagën dhe koeficientin për 9 pozitat e zinxhirit që përbëjnë Zjarrfikësit.

“Kjo është arritur falë bashkëpunimit dhe punës së palodhshme që kemi bërë”- tha ministri i Financave, Hekuran Murati pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve ka koeficient 8 dhe vlera e pagës së tij do të jetë 840 euro, zëvendësi i tij me koeficient 7.2 do të ketë pagë 756 euro.

Komandanti i Batalionit me koeficient 6.5 do të ketë vlerën e pagës 682 euro, zëvendësi i tij me koeficient 6.3 do të ketë pagën 661 euro e 50 cent.

Udhëheqësi i togut të zjarrfikësve ka koeficientin 6 ndërsa paga e tij do të jetë 630 euro, zëvendësi i tij me koeficient 5.9 do të ketë pagën 619 euro.

Udhëheqësi i skuadrës me koeficient 5.7 vlera e të njëjtit do të jetë 598 euro e 50 cent, zëvendësi i tij me koeficient 5.5 do të jetë 577.5 euro.

Udhëheqësi i grupit te Zjarrfikësit ka koeficientin 5.2 dhe vlera e pagës do të jetë 546 euro.

Kurti ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas Ligjit të pagave.

“Pas miratimit të Ligjit të pagave, sot po vendosim në ligjin e buxhetit të Kosovës edhe vlerën e koeficientit. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas ligjit të pagave të 82 mijë zyrtarëve publikë” – u shpreh Kurti.

Ai njoftoi se për këtë vit koeficienti do të jetë 105 ndërkaq shtoi se, sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave në vitin e ardhshëm do të jetë 110.

“Pas këtij procesi është mbërritur tek vlera e koeficientit për vitin 2023 dhe ai është 105, ndërsa në janar të 2024 sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave ai do të jetë 110. Me këtë plotësim ndryshim i hapet rrugë sistemit të ri të pagave prej këtij muaji”- shtoi Kurti.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.