Osmani viziton FSK-në: Defender- Europe’23 - konfirmon besimin e fuqishëm të partnerëve tanë strategjik

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vizituar sot Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Prishtinë për t`u informuar nga afër rreth përgatitjeve për pjesëmarrje në ushtrimin fushor “Defender-Europe’23” ku u prit nga Komandanti Gjenerallejtënant Bashkim Jashari me gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, njofton Presidenca përmes një njoftimi për media.

Pjesëmarrja në këtë ushtrim fushor, sipas presidentes Osmani, konfirmon përkrahjen e aleatëve.

“Pjesëmarrja e mbi 1300 trupave të FSK-së në stërvitjen fushore “Defender- Europe’23”, përkrah forcave amerikane dhe aleatëve tjerë, si dhe statusi i Republikës së Kosovës në cilësi të vendit pritës, konfirmon besimin e fuqishëm të partnerëve tanë strategjik në profesionalizmin e FSK-së, si dhe besimin në vendin dhe popullin tonë në mbrojtjen e vlerave euroatlantike të lirisë dhe paqes rajonale e globale” – citohet të ketë thënë Presidentja Osmani.

Në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e plotë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, si dhe mbarëvajtjen e Stërvitjes, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për FSK-në, por edhe për Republikën e Kosovës dhe vizionin euroatlantik.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, Bashkim Jashari, Gjenerallejtënant i FSK-së. Foto: Presidenca e Kosovës

Siç thuhet në njoftim, Presidentja Osmani u njoftua nga gjeneral Jashari dhe stafi i tij me zhvillimet aktuale në FSK dhe aktivitetet në proces, me theks të veçantë në përgatitjet finale para ekzekutimit të stërvitjes fushore të forcave amerikane me forcat tjera partnere “Defender –Europe’23”.