Vjosa Osmani dhe Urska Klakocar Zupançiq - Foto: ZPRK

Osmani: Sllovenia është aleate dhe mbështetëse e palëkundur e së ardhmes sonë euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq, më 01.07.2024.

Sipas një komunikate për media, në takim u diskutua për rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet të dy vendeve, duke konfirmuar gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm të tyre.

Gjatë takimit Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë në rrugën e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Sipas Osmanit, Sllovenia është mike dhe aleate e fuqishme e Kosovës, teksa i shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Sllovenia dhe Kosova kanë një lidhje të fortë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për t’i adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e shumta për bashkëpunim. Përmes bashkëpunimit, ne mund t`i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta dhe të kontribuojmë në ruajten e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe përtej”- ka thënë Osmani.

Sipas presidentes, “Kosova është shembull pozitiv në rajon me progresin në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencën, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se Osmani ka theksuar se synimi i politikës së jashtme të Kosovës mbetet i fokusuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast potencoi edhe rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare.

Në këtë linjë, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes sllovene për anëtarësim në BE, NATO, sikurse edhe në organizata ndërkombëtare.

Në takim, siç thuhet në kumtesë, u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar të grupeve të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve dhe shkëmbimit reciprok të përvojave.

Diskutimet u fokusuan edhe në një gamë të gjerë temash, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, fuqizimin e grave dhe të rinjve.

Me Klakocar -Zupançiq është takuar edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Konjufca, pas takimit me homologen e tij nga Sllovenia, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që shteti slloven ka treguar për Kosovën.

Në konferencën e përbashkët për media, Konjufca tha se me kryeparlamentaren sllovene, ndër të tjera, ka folur edhe për shqetësimin e Kosovës si shtet në lidhje me tendencat destabilizuese të Serbisë.

“Shpreha shqetësimin tonë si popull e si shtet për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë që kulmuan më 24 shtator [në Banjskë], ku Serbia përmes një grupi të armatosur vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy policë të tjerë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u vënë para drejtësisë kryerësit e këtij krimi” – ka thënë Konjufca më 01.07.2024.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë informacione të sakta që një grup tjetër prej qindra personave po ushtrojnë në Serbi dhe po përgatiten për ndonjë sulm eventual tjetër.

Konjufca: Kemi informacione të sakta se një grup në Serbi po përgatitet për sulm të ri në Kosovë