Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Qëllimi i Mlladiqit dhe Millosheviqit ishte gjenocidi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiqit.

Osmani në rrjetin social Twitter ka shkruar se nuk ka dyshim që qëllimi i Mlladiqit dhe Sllobodan Millosheviqit ishte gjenocidi.

“Kur shohim një vendim si i sotmi, njerëzit dhe familjet që përjetuan vuajtje të patreguara të kryera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit do të ndjehen një hap më pranë drejtësisë. Nuk ka dyshim tani se qëllimi i Millosheviqit, Mlladiqit dhe të tjerëve pjesë e atij regjimi, ishte gjenocidi”, ka shtuar ajo.

Osmani ka theksur se vendimi ndaj Mlladiqit do të hyjë në histori.

“Ky gjykim do të hyjë në histori si një rast i rrallë i drejtësisë i dhënë, por rajoni ka një rrugë të gjatë për të bërë për të siguruar që të mbijetuarit e tjerë dhe familjet e të zhdukurve gjithashtu të arrijnë drejtësi. Me fjalët e presidentit Joe Biden  ‘Drejtësia dhe pajtimi janë themeli për paqen dhe stabilitetin’”, ka shkruar Osmani.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë e ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiqit.

Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska nga 12 maj 1992 deri të paktën më 8 nëntor 1996, u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Konfirmohet dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Ratko Mlladiqit