Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Foto: Facebook

Osmani në Këshillin e Sigurimit: Lufta ndaj dhunës seksuale në konflikte tejkalon politikën dhe diplomacinë

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar më shumë drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Osmani në fjalimin e saj ka thënë se sjellja e drejtësisë për viktimat nuk është vetëm mision i Kosovës por duhet të jetë i të gjitha vendeve.

“Dështimi për t`i mbajtur përgjegjës kryerësit, jo vetëm që i mbanë plagët të hapura, por edhe e nënvlerëson besimin në shoqëritë të cilat kanë dal nga konfliktet”- tha Osmani.

“Sot në reflektojmë në skenarë sesi mund t`i bëjmë gjërat më mirë, sepse është koha që t`i forcojmë mekanizmat për t`i shpërfaqur veprimet të cilat lidhen me dhunën seksuale e cila nënvizon rëndësinë e dokumentimit, deklaratat e dëshmitarëve dhe punën e organizatave ndërkombëtare dhe tribunaleve ndërkombëtare”- shtoi ajo.

Presidentja Osmani tutje tha që është thelbësore të sigurojmë që të mbijetuarit kanë qasje në ndihmë mjekësore, sigurim shëndetësorë dhe ndihmë psikologjike.

“Lufta ndaj dhunës seksuale në konflikte tejkalon politikën dhe diplomacinë, flet për esencën e njerëzimit, është beteje që duhet ta luftojmë me qëndrim të palëkundur, sepse përmes saj ne nuk po mbrojmë vetëm të drejta por bazën e e vlerave tona”- theksoi presidentja.

Në Kosovë nuk dihet saktë numri i personave të përdhunuar gjatë luftës më 1999, por besohet të jetë rreth 20,000.

Nga shkurti i vitit 2018, kur ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, atë e kanë siguruar gjithsej 1,558 veta.