Fotografia zyrtare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: E vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe liria e shtypit.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, dua ta shprehë konsideratën time për mediat profesionale e të guximshme. Dua t’i inkurajoj ta vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, ngase liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë. Të një shoqërie ku çdo ditë krijojmë hapësirë për ta dëgjuar mendimin ndryshe dhe ku secili ndihet i lirë ta thotë atë që e mendon”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka uruar mediat në ditën e tyre dhe i ka inkurajuar të vazhdojnë punën e tyre.

“Hulumtoni, siguroni prova, nxirrni konkluzione në bazë të tyre. E vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve”, ka përfunduar Osmani.

Nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 3 maji është shpallur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’ua kujtuar qeverive detyrën që kanë në drejtim të respektimit të të drejtës së shprehjes së lirë, që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.