Osmani: Është angazhim i yni t’i sigurojmë mundësitë e barabarta për të gjitha komunitetet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëhequr takimin e radhës të Këshillit Konsultativ për Komunitete, me të cilët ka bashkëbiseduar për sfidat dhe shqetësimet që kanë komunitetet në Kosovë.

Sipas një komunikatë për media, Osmani thotë se punësimi pa dallim përkatësie, ruajtja dhe zbatimi i karakterit shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike dhe kulturore, janë disa nga prioritetet dhe angazhimet e përditshme.

Ajo thekson se është angazhim i saj i përditshëm të sigurojë mundësitë e barabarta për punësim në funksion të përmbushjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve.

“Është angazhim i yni i përditshëm t`i sigurojmë mundësitë e barabarta për punësim në funksion të përmbushjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie, si një parakusht përmbajtjesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe realizim të potencialit të secilit” – tha presidentja.

Ndërkaq për çështjen e gjuhës dhe zbatimit të drejtave gjatë  shpalljes së konkurseve në gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës, Osmani ka theksuar se janë prioritet dhe se së shpejti priten rezultate konkrete, posaçërisht në Ministrinë e  Mbrojtjes dhe Policinë e Kosovës.

Sipas Presidentes, vetëm në këtë mënyrë, komunitetet joshumicë mund ta realizojnë potencialin e tyre.

Në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete, sipas njoftimit të Presidencës, janë shqyrtuar, ndër të tjera edhe disa rekomandime dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.