Osmani dhe Meta flasin për miratimin e rezulutës për raportin e Martyt nga Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë dje ka miratuar rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës, raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

Për këtë çështje, konferencës për media kanë folur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Osmani ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të zhbëhet nga askush.

“Histroinë nuk mund ta ndyshoj askush, sepse Kosova e ka mbrojtur veten. Prandaj unë besoj që konfirmim sa i përket pastërisë së UÇK-së e keni dëgjuar çdo ditë dhe nuk mund të presni përshëndetje të veçantë”, ka thënë ajo.

E para e vendin ka thënë se Kosova vazhdimisht e ka konfirmuar një të vërtëtë e cila asnjëherë nuk mund të ndryshoj nga askush pavarësisht përpjekjeve të Serbisë.

“Dick Marty ka tentuar ta shtrembroj të vertetën në Kosovë, por përgjigjen e ka marrë nga vet prokurorë të speciales, këto thashetheme tashmë kanë rënë në tokë”, tha Osmani.

Në anën tjetër, edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për këtë rezulutë.

“Jo vetëm rezuluta e djeshme, por çdo akt që i shërben demantimit të akuzave të Dick Martyt dhe kushdo çoftë, unë dua të shpreh bindjen time të palëkundur se edhe ish- presidenti Thaçi dhe të tjerët do ta mbrojnë me shumë dinjitet këtë luftë të drejtë të popullit të Kosovës”, ka thënë Meta.

Tutje ai ka shtuar se Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen çdo ditë me njëra-tjetren sepse kjo, sipas tij, nuk është thjesht çështje e një procesi kundër drejtuesve të UÇK-së, por është një proces kundër Pavarësisë së Kosovës.

Rezoluta e cila u miratua në Kuvendin e Shqipërisë shpall të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson si “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.

Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “të realizojë një raport vijues dhe rishikim të Rezolutës 1782” e cila u dha hov pretendimeve për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës së 1998-1999 në Kosovë.

Presidenti Meta, përveç Osmanit do të takojë edhe kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Presidenti i Shqipërisë do jetë në vizitë zyrtare në Kosovë deri më 23 korrik.

Meta do të pasohet nga Bajram Begaj, i cili më 4 qershor është zgjedhur Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë por ende nuk e ka marrë zyrtarisht detyrën.