Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

Ilir Meta vizitë zyrtare në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, së bashku me një delegacion shoqërues prej sot deri më 23 korrik nis vizitën zyrtare në Kosovë.

Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se  gjatë kësaj vizite do të kujdesen për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Sipas policisë, në kohën e ardhjes (pasdite) me 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës.

Tutje, nga policia theksohet se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj kërkohet mirëkuptim i plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.