Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend të Kosovës, (15.12.2022), Foto: KALLXO.com

Osmani: Bandat kriminale në veri do të përballen me drejtësinë për kërcënimin që po ua bëjnë qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka folur për situatën në veri të vendit.

Osmani tha se veriu vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës por ajo tha se është e vendosur të krijojë siguri në Kosovë dhe se bandat kriminale do të përballen me drejtësinë.

“Veriu vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë, por ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri në çdo cep të territorit. Natyrisht që bandave kriminale nuk po ju pëlqen zbatimi i ligjit në tërë terrorin, nuk i pëlqen lufta e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Ata do të përballen me drejtësinë për kërcënimin që po ja bëjnë qytetarëve tanë” – deklaroi Osmani.

Presidentja tha se Serbia duhet ta kuptojë që Kosova është shtet dhe se prezenca e ushtrisë së saj ka marrë fund në qershor të vitit 1999.

“Serbia dhe udhëheqësi i saj e dinë mirë që prezenca e ushtrisë së saj mori fund në qershor të vitit 1999. Punë e institucioneve të Kosovës është përpjekje për mbrojtje të serbëve lokal, Kosova është atdhe i të gjithëve, ndaj e kemi obligim të përkujdesemi për ta. Serbia duhet ta kuptoj qartë e përfundimisht që Kosova është shtet dhe i tillë duhet të mbetet gjithmonë, pavarësia është e pathyeshme dhe se dialogu duhet të vazhdoj për njohje reciproke”- u shpreh Osmani.

Osmani ka përmendur edhe takimet me krerët shtetërorë dhe ka theksuar edhe takimet me liderët e shteteve jonjohëse.

“Kam takuar 44 krerë të shteteve, 46 kryeministra, shumë kryetarë parlementesh, janë realizuar 19 vizita bilaterale si mysafir apo nikoqir. Dua t’i potencoj po ashtu takimet me liderët e vendeve jonjohëse. Në të gjithë samitet ku jam ftuar ta përfaqësoj vendin, është përçuar mesazhi i qartë se Kosova meriton të jetë pjesë e BE-së, në të gjitha këto samite veprime e Kosovës në përafrim më BE-në janë vlerësuar shumë” – ka thënë Osmani.

Në fjalën e saj, presidentja ka falënderuar qytetarët e vendit për përkushtimin e tyre e punën e palodhur duke përmendur edhe sukseset në sport, kulturë e shkencë.

“Ka qenë një vit i rrethanave të jashtëzakonshme, por dua t’i falënderoj qytetarët për punën e palodhur, qëndrueshmërinë e pashoq, është taksisti, mësuesja e shkollës, infermieret që sakrifikon gjumin e natës, është një mozaik kaq i larmishëm i individëve që realisht janë heronjtë tanë, janë njerëzit që i bëjnë shtete dhe jo anasjelltas. Janë qytetarët tanë që gjithnjë konfirmojnë se kur krijohen kushtet e duhura suksesi është i sigurtë, këtë na kanë dëshmuar më arritjen në sport, në shkencë. Këtë vit e kemi hapur Kosovën për botën përmes forumeve dhe ngjarjeve kulturore, i dëshmuam se jemi vend i rinisë e potencialit” – theksoi Osmani.

Ajo ka kujtuar edhe brezat paraprak që sipas Osmanit, nuk kursyen asgjë për rrugën drejt lirisë e pavarësisë duke shtuar edhe përkrahjen e Kosovës ndaj Ukrainës në luftën e saj me Rusinë.

“Ëndrra jonë e përbashkët për një shtete që donë qytetarët tanë po bëhet çdo ditë, prandaj t’i kujtojmë brezat e tërë, bijtë e bijat që nuk kursyen asgjë për rrugën drejtë lirisë dhe pavarësisë. T’i kujtojmë të gjithë njerëzit tanë që punuan e sakrifikuan shumë që liria jonë të gëzohet sot. Gjersa kthejmë kokën pas në mënyrë që të jem në gjendje të jetojmë të tashmen, tash kemi pasur edhe luftën e tmerrshme të Rusisë ndaj Ukrainës. Ukraina po e dëshmon sot, ashtu siç e dëshmoi Kosova se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë. Prandaj populli i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës, kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë, Kosova ka zgjedhur të qëndroj në anën e drejtë të historisë” – deklaroi ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka mbajtur fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, sipas obligimit kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve së paku një herë në vit.
Prezentë në seancë nuk kanë qenë grupet parlamentare të AAK-së dhe PDK-së.