Osmani: Ajo që na bashkon më Shqipërinë është e ardhmja jonë euroatlantike

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në një konferencë të përbashkët për media, presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Meta për mbështetjen që ai ka pasur për Kosovën.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona kanë shënuar progres në shumë fusha, ju i keni dhënë mbështetje Repiblikës së Kosovës. Gjatë udhëheqjes suaj kemi pasur bashkpunim dhe koordinim të shkëlqyeshëm, gjë për të cilën dëshiroj të ju falënderoj”, ka thënë Osmani.

Tutje presidentja i ka thënë presidentit Meta se ai po e përfundon mandatin por bashkëpunimi do të mbetet i përhershëm.

Osmani ka thënë gjatë fjalimit të saj është mëse e nevojshme që marrëveshjet ndërqeveritare të zbatohen edhe në praktikë.

Sipas Osmanit, agjenda insitucionale mbetet e fokusuar në konsolidimin e mëtejmë si vend i pavarur, ndërsa objektivi është i qartë, e që mbetet anëtarësimi në strukturat euroatlantike.

“Siç e dini deri në fund të vitit Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Kosova gjithnjë ka qenë dhe do të mbetet në anën e drejtë të historisë siç po qëndron edhe tani në kohë shumë sfiduse. Ajo që na bashkon më Shqipërinë është e ardhmja jonë euroatlantike, faleminderit për ndihmën që i keni dhënë Kosovës”, ka thënë Osmani.

Presidenti Meta, përveç Osmanit do të takojë edhe kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Presidenti i Shqipërisë do jetë në vizitë zyrtare në Kosovë deri më 23 korrik.

Meta do të pasohet nga Bajram Begaj, i cili më 4 qershor është zgjedhur Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë por ende nuk e ka marrë zyrtarisht detyrën.