Osman Ferizi: Dega jonë në Gjermani është parë si një "dele e zezë" në LDK

Kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, në emisionin “Kallxo Pernime” ka folur për kuvendin zgjedhor të LDK-së që do të mbahet të dielën.

Ai ka thënë se kuvendi i LDK-së duhet të ndërrojë statutin dhe të mos i lejohet kryetarit të LDK-së të zgjedhë numër të madh të anëtarëve të Kryesisë.

“Kuvendi i LDK-së duhet të ndërrojë nenin 29.2, i cili i jep të drejtë kryetarit që të zgjedhë një numër të madh të anëtarëve të Kryesisë që mendoj se është një gjë abuzuese”, tha Osman Ferizi.

“LDK duhet të punojë me degët e bazat. E mbaj mend presidentin Rugova kur i thoshte në takimet e së premtes: “Ju lutem më tregoni çka mendon baza, e jo çka mendoni ju”. Tani është e kundërta, pyeten kryetarët e degëve”, tha Osman Ferizi në “Kallxo Pernime”.

Ferizi ka komentuar 4 kandidaturat për kryetar të LDK-së.

“Unë mendoj që prej këtyre 4-ve, Anton Quni do të ishte më adekuati, më i duhuri, më i besueshmi dhe më i vendosur që LDK ta bashkojë dhe ta kthejë në binarët e saj”, tha Osman Ferizi.

Ai ka komentuar edhe rezultatin e LDK-së dhe mungesën e besimit për LDK-në nga ana e diasporës.

“LVV në diasporë i ka shfrytëzuar dobësitë e LDK-së, pasi që LDK ka ricikluar me pushtete të ndryshme, ku ka ndërtuar koalicione me PDK-në, të cilën në fushatë e ka quajtur bandë kriminale e ShIK, e pas zgjedhjeve ka ndërtuar koalicione duke u thirrë në ndërtim të shtetit. Mirëpo premtimeve duhet me iu ndejtë”, tha Ferizi.

“Dega e Gjermanisë është konsideruar si dele e zezë në LDK pasi që kemi pasë kritika. Nëse ishin dëgjuar kritikat tona, nuk ish dal as Vjosa Osmani e as Donika Gërvalla”, shtoi tutje ai.