Foto: ORCA, Facebook

ORCA shpreson se rezultatet në PISA 2022 do ta këndellin kryeministrin Kurti

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA përmes një komunikate për media ka reaguar në lidhje me rezultatet e Kosovës në testin PISA 2022.

Sipas kësaj komunikate, ORCA nuk është befasuar me këto rezultate dhe shpreson se ato do ta këndellin kryeministrin Albin Kurti.

“Analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022. Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022. Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022” – kanë shkruar në komunikatën e tyre nga ORCA.

Megjithëse shpreson, ORCA nuk beson se Qeveria e Kosovës do të reflektojë pas këtyre rezultateve, pasi sipas tyre orientimi i kësaj qeverie nuk konsiston në reforma radikale në arsim.

Kosova ka pranuar sot rezultatet nga testi i PISA 2022 dhe ka shënuar rënie të statistikave në krahasim me vitin 2018.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018.

Në lexim, Kosova është e 76-ta nga 80 vendet pjesëmarrëse, me 342 pikë.

Në shkencë, Kosova renditet e 77-ta nga 80 vende pjesëmarrëse, me 357 pikë, në këtë fushë ka rënie më të ulët për 6 pikë krahasuar me vitin 2018.

Rezultatet në matematikë në testin PISA 2022
Rezultatet në lexim në testin PISA 2022
Rezultatet në shkencë në testin PISA 2022