Onkologia nga Anglia: Qeveria u vonua në trajtimin e pandemisë

Ernesë Xhafa, onkologe në Angli, ka thënë se edhe ky shtet është vonuar në trajtimin e pandemisë së coronavirusit.

“Masat të cilat është dashur të ndërmerren, nuk janë marrë me kohë edhe pse Qeveria ende nuk e ka pranuar dhe është munduar të marrë kohë”, tha ajo në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ajo theksoi se pavarësisht se stafi mjekësor ishin përgatitur më herët për pandeminë, Qeveria nuk e kishte shpallur gjendjen të jashtëzakonshme.

“Të gjithë mjekët janë mobiziluar, janë ritrajnuar edhe kemi qenë të gatshëm në kuadër të spitaleve, por Qeveria është frikësuar që sistemi shëndetësor nuk mund të merret me të gjithë këtë fluks dhe ka menduar me marrë kohë vënies së masave të duhura, siç është izolimi”, tha Xhafa.

“Dhe pas 7 jave të vdekjes së parë është marrë vendim që të izolohet. Krejt shkurti ka shkuar pa vendime të mëdhaja, duke parë se çka po shihet, kurse vdekja e parë ka qenë me 6 mars dhe vendimet hynë në fuqi më 23 mars”, shtoi ajo.

Xhafa deklaroi se ka shumë spitale që nuk kanë mjete mbrojtëse për coronavirusin.

“Ka mungesë të mjeteve mbrojtëse, ka shumë spitale që ankohen që nuk i kanë edhe mjetet mbrojtëse përkatëse dhe duke e marrë parasysh çfarë shteti kemi mendoj se duhet të kemi qenë më të përgatitur”, tha më tej ajo.

Në emisionin “Jeta në Kosovë” është duke u debatuar me shiptarët që po punojnë në luftimin e pandemisë në Amerikë, Itali, Angli e Singapor.