QKUK

Oda e Mjekëve reagon për sulmin ndaj stafit të Klinikës së Pulmologjisë

Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj një mjeku dhe një infermiereje në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës.

“OMK ka pranuar me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim lajmin e sulmit ndaj kolegëve, mjekut G.H dhe infermieres T.N të cilët u sulmuan dje në hapësirat e vendit të punës duke ofruar shërbime shëndetësore, përkatësisht në Klinikën e Pulmologjisë”, thuhet në reagim.

Sipas OMK-së, sulmet e tilla sidomos me mjekët që përballen direkt me virusin janë veprime kriminale për të cilat duhet të shqiptohen sanksionet më të rënda të mundshme të parapara me ligjin penal.

Gjithashtu përmes këtij reagimi OMK ka kërkuar nga Qeveria procedimin e ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e mjekut.

“Kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë urgjentisht të procedoj ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e mjekut, pasi që nuk ka asnjë logjikë e shëndoshë që arsyeton vonesën e procedimit të këtij ligji”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Oda e Mjekëve të Kosovës përsëri kërkon nga institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivelit qendror dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës, pasi që mundësia e ekspozimit ndaj kriminalitetit të dhunshëm ndaj mjekut është e madhe.

Për këtë sulm ka reaguar edhe QKUK dhe Shoqata e Pulmologëve të Kosovës.

ShSKUK dënon sulmin fizik ndaj stafit të Klinikës së Pulmologjisë