Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ShSKUK dënon sulmin fizik ndaj stafit të Klinikës së Pulmologjisë

Një mjek dhe një infermiere janë sulmuar gjatë ditës së djeshme në vendin e tyre të punës në Klinikën e Pulmologjisë.

Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Ata në një njoftim kanë thënë se janë njoftuar nga Klinika e Pulmologjisë se, dje, derisa po ofronin kujdesin shëndetësor për pacientët, rreth orës 16:00, në vendin e tyre të punës, nga ana e një familjari, janë sulmuar fizikisht mjeku G.H. dhe infermierja T.N.

“ShSKUK dënon ashpër sulmin ndaj stafit shëndetësor, i cili ishte duke trajtuar rastet me Covid-19, në Klinikën e Pulmologjisë, duke kërkuar nga organet kompetente që sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, ka reaguar ShSKUK.