Objekti i djegur në Leposaviq: Policia nuk dyshon në zjarrvënie, zyrtari komunal akuzon Listën Serbe

Në fshatin Ulije të Komunës së Leposaviqit është djegur një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën që funksionon sipas sistemit të Kosovës.

Radosavleviq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai beson që zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe se motivi është politik.

Sipas tij, objekti i djegur ka qenë në fshatin Ulije pranë vreshtit të tij në territorin e Komunës së Leposaviqit, dhe se i është vënë flaka më 22 mars, por ai e ka kuptuar këtë gjë një ditë më vonë.

“Dera është e deformuar pasi mund të jetë thyer me levë. Blloku është thyer duke goditur me levë derën, e cila ishte krejt e re. Këtë e ka bërë një faktor politik që është e kundërta e faktorit politik të cilit unë i përkas”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rasti i zjarrit është duke u hetuar, por se për momentin nuk besohet të jetë zjarrvënie.

“Për momentin askush nuk dyshohet. Besohet se ka pasur problem me rrymën”, ka thënë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin verior, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Radosavleviq beson se përfshirja e tij në institucionet e Kosovës e ka shqetësuar Listën Serbe dhe se pas zjarrit qëndron kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Lista Serbe i ka hedhur poshtë akuzat duke i konsideruar të pabazuara.

Në korrik të vitit 2023, Radosavleviq ka pranuar të angazhohet në kuadër të autoriteteve lokale në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës që banohet me shumicë serbe, pasi pjesëtarët e komunitetit serb ishin larguar nga institucionet e Kosovës me iniciativën e Listës Serbe.

Në fillim të muajit mars, persona të panjohur e kanë djegur edhe lokalin në pronësi të Natasha Tomaniqit, nënkryetares së Komunës së Zveçanit, e cila funksionon sipas sistemit të Kosovës.

Ajo pati thënë, po ashtu, se dyshon që pas zjarrit qëndron Lista Serbe, ndonëse partia e ka mohuar më vonë këtë deklaratë.

Aktualisht në krye të komunave në veri të Kosovës janë katër kryetarë shqiptarë.

Ata i kanë marrë mandatet në maj të vitit të kaluar, sepse serbët patën bojkotuar zgjedhjet.

Megjithatë, disa pjesëtarë të komunitetit serb pranuan më vonë të angazhohen si kuadro të autoriteteve lokale.

Lista Serbe, e cila fillimisht bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve, ka thënë në tetor të vitit të kaluar se tani është gati për të marrë pjesë në to./REL