Pika Kufitare Jarinje

OAK mirëpret vendimin për moskarantinimin e shoferëve tregtarë që janë të dyshimtë për COVID-19

Ushtruesi i detyrës së ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Zveçla, sot mori vendim që të gjithë personat të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës përmes pikave kufitare, pas nënshtrimit të kontrollit mjekësor, do të dërgohen në karantinë të përcaktuar sipas vendimit të Qeverisë.

Por nga ky vendim përjashtohen shoferët shtetas të Kosovës dhe të huaj të mjeteve transportuese të mallrave, të cilët pasi t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor, vlerësohen se nuk janë të dyshimtë me COVID-19.

Vendimin në fjalë e kanë përkrahur edhe nga Oda e Afarizmit të Kosovës, të cilët e kanë falënderuar Qeverinë e Kosovës.

“OAK pas pranimit të shqetësimit lidhur me problemin e sektorit të transportit, ku shoferët obligohen që të vendosen në vetkarantinë për 14 ditë, ka ngritur si shqetësim tek Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë, duke kërkuar që Qeveria të marrë masa urgjente dhe të trajtohet ky problem”, thuhet në deklaratë.

Kjo pasi sipas tyre, kompanitë janë duke transportuar mallëra për nevoja të qytearëve dhe të prodhuesve “dhe me qëllim që këto pengesa të mos paraqesin rrezik për furnizime adekuate, e sidomos për furnizimin me medikamente dhe ushqime”.

OAK ka kërkuar që sektorë të veçantë të pajisen me leje të veçanta për qarkullim, pasi që një gjë e tillë mund të bllokojë zinxhirin e furnizimit.

Ndërkaq për shkak të parandalimit të përhapjes së coronavirusit, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të gjithë personat, shtetas të Kosovës të cilëve iu duhet me urgjencë të kthehen në vend, të karantinohen për 14 ditë.

Deri më tani, numri i të infektuarve me COVID – 19 në Kosovë ka shkuar në 28.