Nysrete Kumnova: Qeveritë zvarritën ligjin, Driton Selmanaj injoroi temën e të pagjeturve

Nysrete Kumnova, përfaqësuese e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, në seancën e Kuvendit e cila po mbahet me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit si dhe parandalimit të këtij krimi, tha se Kosova ende i numëron mbi 1,600 persona të pagjetur të cilët padrejtësisht mbahen në varreza masive në Serbi.

“Ne familjarët e pikëlluar, ne nëna të pikëlluara, me humbjen e bijëve dhe bijave familjarëve tonë u bashkuam si një trup me një zë dhe nuk ndaluam asnjëherë së vepruari në kërkim të fatit të pagjeturve”, tha ajo.

Kumnova tha se nuk gjetën përkrahje nga institucionet vendore e ndërkombëtare të cilat, sipas saj, do të duhej vetë të merrnin iniciativa për zbardhjen e krimit, kthimin e trupave dhe varrimin e më të dashurve në atdhe.

“Edhe fëmijët tanë ishin shqiptarë shtetas të Kosovës të etshëm për liri e atdhe por ja që Serbia i këputi si lule dhe i vyshki jetët e tyre duke i futur  thellë në varreza masive. Sot do të duhej të ishin fëmijët tanë këtu, jo prindërit. Një gjë dihet se ne ishim në shtëpitë tona dhe Serbia ishte agresori që na okupoi, vrau e masakroi pa mëshirë para syve të botës. E tani përse të mbesin varret e zbrazura”, tha ajo.

Kumnova akuzoi qeveritë e Isa Mustafës dhe Avdullah Hotit që nuk u votua Ligji për të Pagjeturit.

“Qeveria e Isa Mustafës, ministri Arban Abrashi para disa vitesh na ka vënë në pozitë tejet të vështirë duke na detyruar të zgjedhim midis pensionit të pleqërisë dhe të ndihmës shtetërore e cila na jepej në emër të bijave dhe bijëve tonë. A ka mëkat më të madh të bëhet ky kushtëzim? Kur familjarët reaguan dhe kërkuan të kthehet në parlament ligji i të pagjeturve dhe në kohën kur me iniciativën e zotit Jahja Llula si mbajtës i dosjes së të pagjeturve ku kam qenë edhe unë pjesë e këtij grupi arritëm një konsensus përmes një draft dokumenti që duhej të procedohej. Gjërat ngelën në vend dhe nuk lëvizi asgjë në këtë drejtim”, tha ajo.

Kumnova tha se Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj me datë 13 nëntor 2020 e refuzuan dhe nuk e votuan ligjin duke u arsyetuar se është kohë pandemie.

“Është zoti Driton Selmanaj i cili kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve duke e cilësuar si të konsumuar. Në të njëjtën kohë pandemie është edhe ministri Reçica i cili ka theksu në Kuvendin e Kosovës se mjetet janë të gatshme por duhet të votuar ligji në Kuvendin e Kosovës”, shtoi ajo.

Kumnova kërkoj nga Kuvendi të votohet ky ligj me procedurë të përshpejtuar.