Foto: MINT

Nuk plotësonin standardet e kërkuara, Inspektorati largon nga tregu një lloj të mbushësve të telefonave

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë të ditur se se Inspektorati i Tregut ka sekuestruar dhe larguar nga tregu mbushësit e telefonave të brendit “LDNIO”.

Sipas njoftimit, ky veprim i Inspektoratit është ndërmarrë pasi këto produkte elektrike (mbushës telefoni), pas testimit kanë rezultuan se nuk ishin në përputhje me standardet e kërkuara.

“Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë marrë mostra për testim të produkteve elektrike (mbushës telefoni) të brendit “LDNIO” 45Ë PD/QC. Testimi i produktit u krye si pjesë e një projekti rajonal. Produkti elektrik në fjalë u testua në një laborator të akredituar dhe rezultoi se nuk përputhej me kërkesat e standardit EN 62368-1:2014+A11:2017, të cilat janë esenciale për përputhshmërinë me Rregulloren teknike për pajisjet elektrike të dizajnuara për përdorim brenda kufijve të caktuar të tensionit”- thuhet në njoftimin e MINT më 07.06.2024.

Mbi bazën e raportit të testimit, thuhet më tej në njoftim Inspektorët e Tregut kanë sekuestruar dhe larguar nga tregu i brendshëm produktin që është hasur tek operatorët ekonomikë dhe që ka qenë i ekspozuar për shitje.

Po sipas njoftimit të Inspektorati, për verifikim gjatë procesit të importit është njoftuar edhe Dogana e Kosovës.